☀️
Tiranë 11°C · Kthjellët 14 Tetor 2026
S&P 500 7,713 ▼1.18%
DOW 51,546 ▼0.24%
NASDAQ 26,677 ▼1.94%
NAFTA 95.09 ▲1.01%
ARI 4,121 ▼1.35%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1193 EUR/GBP 0.8450 EUR/CHF 0.9323 EUR/ALL 91.4969 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4169 EUR/TRY 55.2934 EUR/JPY 177.19 EUR/CAD 1.5924 EUR/USD 1.1193 EUR/GBP 0.8450 EUR/CHF 0.9323 EUR/ALL 91.4969 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4169 EUR/TRY 55.2934 EUR/JPY 177.19 EUR/CAD 1.5924
₿ CRYPTO
BTC $81,740 ▼ -1.71% ETH $2,429 ▼ -3.01% XRP $1.3271 ▼ -3.15% SOL $104.1700 ▼ -2.94%
S&P 500 7,713 ▼1.18 % DOW 51,546 ▼0.24 % NASDAQ 26,677 ▼1.94 % NAFTA 95.09 ▲1.01 % ARI 4,121 ▼1.35 % S&P 500 7,713 ▼1.18 % DOW 51,546 ▼0.24 % NASDAQ 26,677 ▼1.94 % NAFTA 95.09 ▲1.01 % ARI 4,121 ▼1.35 %
EUR/USD 1.1193 EUR/GBP 0.8450 EUR/CHF 0.9323 EUR/ALL 91.4969 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4169 EUR/TRY 55.2934 EUR/JPY 177.19 EUR/CAD 1.5924 EUR/USD 1.1193 EUR/GBP 0.8450 EUR/CHF 0.9323 EUR/ALL 91.4969 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.4169 EUR/TRY 55.2934 EUR/JPY 177.19 EUR/CAD 1.5924
14 Tet 2026
Breaking
Opinion

Nga protesta te anarshia, pse hesht Qeveria?

Nga Filip Çakuli

Një protestë mund të tronditë qeverinë, por kur fillon të djegë bizneset private, të shkulë pllakat e bulevardeve, të thyejë semaforët e të sulmojë institucionet me gurë, nuk kemi më vetëm revoltë qytetare. Kemi kaluar në një territor ku zemërimi rrezikon të kthehet në anarki.

Tirana po paguan faturën e një përplasjeje që nuk e ka vetëm qeveria përballë protestuesve. E paguajnë edhe qytetarët, bizneset dhe pronat publike. Digjen kazanët, shkulen kangjellat, shkatërrohen semaforët dhe gurët fluturojnë drejt policisë. Madje, kur turma futet me forcë në Ministri, protesta nuk mund të justifikohet më thjesht me të drejtën për të protestuar.

E drejta për të protestuar nuk është licencë për të shkatërruar. Dhe policia nuk mund të qëndrojë spektatore përballë dhunës. Ajo duhet të garantojë rendin, të mbrojë jetën dhe pronën, duke përdorur forcën e nevojshme dhe proporcionale, jo duke e kthyer uniformën në objekt hakmarrjeje.

Por këtu mbaron përgjegjësia e protestuesve dhe fillon ajo e qeverisë.

Qeveria nuk mund të fshihet pas gurëve që hidhen mbi policinë për të mos dëgjuar arsyet e zemërimit. Studentët kanë muaj që protestojnë dhe, nëse kërkesat e tyre nuk kanë marrë përgjigje, heshtja institucionale vetëm e thellon krizën. Një qeveri që nuk dëgjon kur njerëzit flasin, nuk duhet të habitet kur ata ngrenë zërin. Por as nuk mund të pranojë që zëri të zëvendësohet me zjarrin.

Në këtë protestë shohim studentë me kërkesa të tyre, por edhe prani politike opozitare. Sa është pesha e secilës palë dhe kush po e drejton përshkallëzimin, duhet të provohet me fakte, jo me etiketime. Megjithatë, kur një protestë studentore përfundon me djegie, shkatërrime dhe sulme, lind natyrshëm pyetja nëse zemërimi fillestar po përdoret edhe për qëllime politike.

Nuk mjafton të valëvisësh flamurin e studentëve për t’i dhënë çdo veprimi imunitet moral. As nuk mjafton që brenda turmës të ketë militantë për t’i mohuar çdo studenti të drejtën për t’u dëgjuar.

Nuk jemi më te flamingot, te batutat apo te simbolika e protestës. Jemi te përgjegjësia për atë që po ndodh në rrugë. Kur shkatërrohet prona e një biznesi privat, nuk goditet Kryeministri; goditet dikush që mund të mos ketë asnjë lidhje me konfliktin politik. Kur thyhet një semafor, nuk ndëshkohet qeveria; rrezikohet qytetari. Kur digjet një kazan, fatura nuk i shkon partisë, por komunitetit.

Në Paris apo Romë, përplasjet me policinë janë pjesë e historisë së protestave. Por fakti që dhuna ndodh edhe në kryeqytete europiane nuk e bën atë të pranueshme dhe as nuk justifikon shkatërrimin pa dallim të një qyteti të tërë. E drejta për protestë mbrohet pikërisht duke mos e ngatërruar me të drejtën për të dëmtuar të tjerët.

Ndërkohë, qeveria hesht, ndërsa policia përballet me presionin e turmës. Kjo nuk mund të jetë strategji qeverisëse. As pritja që lodhja ta shpërndajë protestën, as shpresa se pamjet e dhunës do t’ia heqin asaj legjitimitetin.

Qeveria duhet të dalë me përgjigje konkrete për kërkesat e studentëve, me afate dhe përgjegjësi institucionalë. “Të qeverisësh është t’i bësh të bësojnë”, shkruan Makiaveli në librin e tij, Princi. dhe më domethënëse është ajo e De Golit: “Të qeverisësh do të thotë të zgjedhësh mes disavantazheve”.

Policia duhet të mbrojë rendin pa ndëshkuar protestuesit paqësorë. Organizatorët duhet të distancohen qartë nga dhuna dhe të mos e përdorin turmën si mburojë politike. Ndërsa autorët e akteve kriminale duhet të identifikohen individualisht, mbi bazën e provave.

Sepse një qytet nuk mund të bëhet peng i as qeverisë që nuk dëgjon, as turmës që shkatërron. “Turmat vërtet nuk qeverisin, por kanë një vegël, me anën e së cilës ndikojnë në të gjitha punët, aventurat dhe krimet e shtetit”, shkruan Kadareja.

Kur qeveria nuk dëgjon, rruga bëhet tribunë. Kur rruga fillon të djegë, politika nuk mund të vazhdojë të bëjë sikur nuk sheh. Dhe kur të dyja palët e lënë arsyen jashtë, Tiranës i mbetet vetëm të mbledhë copat.

Pra dhuna e tejskajshme dhe indiferenca e qeverisë nuk janë zgjidhje. Të dyja palët kanë humbur arsyen dhe ndoshta kur t’u vijë, vendin e merr prokopia…

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.