Mos u habisni nga dhuna. Habituni që nuk ka plasur tenxherja më herët!

Gjatë gjithë jetës sime profesionale kam besuar te zgjidhja paqësore e konflikteve, te ligji dhe institucionet. Helbete, avokat hesapi dhe kështu i bie të mendoj në kohëra normale. Por sot, kur jetojmë në kohëra aspak normale, e kap veten duke kuptuar gjithnjë e më shumë edhe ata që shpërthejnë në dhunë. Madje, ndonjëherë ndiej njëfarë kënaqësie kur shoh se revolta po u prish rehatinë pushtetarëve.
Pse e kuptoj revoltën dhe dhunën? Le të shohim pak se çfarë rrugësh demokratike i kanë mbetur qytetarit kur nuk është dakord me pushtetin.
Si fillim kemi në pushtet një supermazhorancë që sundon 60% të Parlamentit, aq sa voton edhe ligjet e rëndësishëm që kërkojnë shumicë të cilësuar. Në realitet, edhe sikur ta zëmë, për hir të argumentit, se të gjitha votat i kanë të mirëqena, nuk kanë qenë kurrë 60% e popullit. Kjo supërshumicë deputetësh është produkt edhe i një sistemi zgjedhor që favorizon partitë e mëdha, heq qafe partitë e vogla dhe pastaj shpërblen me numër të madh deputetësh diferencën e votave që mbeten për partitë e mëdha. Sa më e madhe diferenca mes PS dhe PD, aq më shumë deputetë merr PS, edhe sikur të ketë më pak vota se hera e kaluar. Mjafton që PD të ketë edhe më pak vota akoma. Pastaj, defekti (i qëllimshëm) numër dy është sistemi proporcional në vetvete, i cili është më i dëmshmi i mundshëm, sepse nuk shpie në kandidimin e atyre individëve që gëzojnë respekt paraprak në komunitet, por atyre individëve që shfaqin besnikëri të verbër ndaj shefit. Ky sistem i bën deputetët pengje të kryetarëve. Erion Braçe, si shembulli më i freskët, kundërshtoi reformën territoriale, por votoi pro për të mos rrezikuar vendin në grupin parlamentar. Tani, imagjinoni kur edhe Braçe nuk guxon t’i dalë kundër kryetarit me votë, çfarë presim nga të tjerët që kryetari i futi në listë vetëm te kjo seria e fundit e deputetëve? Kështu, në vend që parlamenti të kontrollojë qeverinë, kryetari i partisë kontrollon edhe qeverinë edhe atë supërshumicën e frikshme të parlamentit.
Kështu, Parlamenti është bërë një institucion kot. Mund ta mbyllin fare dhe t’i japin Ramës kartonat jeshilë t’i tundë vetë përballë Peleshit. Ç’kuptim ka të lobosh me deputetë kur dihet që vota është vetëm në dorën e kryetarit? Ç’kuptim ka të shkosh në dëgjesa në komisione parlamentare kur nuk janë ata që kanë në dorë vendimet? Ç’kuptim ka edhe opozita, kur komisionet hetimore ia kanë hequr dhe kur interpelancat janë kthyer në shfaqje retorike, pa asnjë llogaridhënie? Ç’kuptim ka ngritja e zërit nga ndonjë deputet, kur ai, sa hap e mbyll sytë, përjashtohet fare nga salla për dy muaj?
Ikën pra dy pushtete nga tre që janë gjithsej. Mbeten gjykatat. Po këto si janë? Gjykatat administrative janë ndoshta më të rëndësishmet në vend, sepse mbrojnë direkt individin nga shteti. Dhe pikërisht ato i kanë lënë të ngordhin, të mbytura në dosje e vonesa shumëvjeçare, me reformën famëkeqe ne drejtësi. Kur drejtësia vjen pas dhjetë ose më shumë vjetësh, shtëpia të është prishur, prona të është rrëmbyer, bizneësi të është shkatërruar, tenderi të është aneksuar, pylli të është prerë, bregdeti të është betonizuar, lumin e ka marrë lumi dhe të është futur nëpër tuba. Edhe sigurimi i padisë, instrumenti i vetëm që i ka mbetur në dorë gjykatave, që mund ta ndalojnë vrullin e qeverisë përkohësisht, përdoret nga gjyqtareët me shumë rezervë dhe frikë, në një klimë presioni politik mbi gjyqtarët. Çfarë vlere ka një gjykatë që të jep të drejtë kur gjithçka ka marrë fund?
Pastaj mbetet SPAK. Por kur kërkon autorizim për arrestimin e Ballukut, parlamenti ia refuzon. Dhe pastaj ndryshon edhe ligjet. Pra, drejtësia përplaset përsëri me murin politik.
Ja pra, që të tre pushtetet u bënë si te ajo vjersha “një e poq, një e dogj, një e hëngri me gjithë zogj“.
Cila rrugë mbetet për qytetarin? Edhe media që ka një pushtet simbolik dhe quhet “pushteti i katërt”, është në masë të madhe e ekspozuar ndaj interesave ekonomike të pronarëve që varen nga vendimet e qeverisë. As nuk ka nevojë që Rama t’u telefonojë çdo mbrëmje. Mjafton që pronarët ta dinë vetë ku e ka interesin qeveria.
Dhe tani, ku dreqin të shkojë qytetari? Ku do e përplasë kokën? Problemi i tij mund të jetë i drejtë, por mund të jetë edhe idiotësi. Kush duhet ta ndajë këtë? Institucionet! Por kur ato nuk funksionojnë, si do zgjidhen problemet dhe si do ndahet shapi nga sheqeri? Ja pra, sepse sot është normale që të dalin në rrugë të gjithë, edhe të mençurit, edhe të çmendurit, edhe ata që kanë të drejtë, edhe ata që nuk kanë.
Të mos harrojmë se bashkë me në shesh janë gjithë, edhe ata që hedhin gurë e ndezin zjarre, edhe ata që janë njerëz të moderuar e paqësorë, sepse të gjithëve u janë mbyllur të njëjtat shtigje demokratike.
Dhe këtu është paradoksi im. Kur mendoj se njerëz si Taulant Balla, Belinda Balluku apo të tjerë mund të kenë frikë të pinë një kafe, sepse dikush njofton ku ndodhen dhe njerëzit shkojnë t’i shajnë, t’i poshtërojnë apo t’u hedhin vezë, e kap veten duke ndier një kënaqësi të hidhur. Nuk mendoj se këto janë veprime të drejta. Por ndoshta më vjen mirë sepse më në fund edhe pushtetarët po fillojnë ta ndiejnë në lëkurë makthin që kanë krijuar. Deri tani vetëm qytetarit i prishej jeta, prona, biznesi, e ardhmja. Ndërsa këta pinin kafe të qetë dhe na shpjegonin sa mirë po qeverisnin.
Nëse edhe unë, që kam kaluar dekada duke besuar te mjetet ligjore, filloj të kuptoj shpërthimet e dhunshme, imagjinoni çfarë ndien një qytetar që nuk ka as mundësitë, as paratë, as durimin të presë për zgjidhje institucionale, me mjete demokratike, me drejtësi, me peticione, me lutje, me letra të hapura e të mbyllura, me konsultime, e të tjera si këto.
Shoqëria është si një tenxhere me presion. Parlamenti, gjykatat, kontrolli institucional, media, janë valvulat që duhet ta shkarkojnë presionin. Kur i mbyll të gjitha, tenxherja plas. Pastaj ata që i mbyllën dalin e dënojnë shpërthimin. Po kush e çoi punën deri këtu?
Dhuna nuk është zgjidhje, por nuk pranoj të dëgjoj moralizime për dhunën nga ata që nuk duan të flasin për shkaqet e saj.
Unë nuk është se dua një vend ku ministrat të kenë frikë të pinë kafe. Por akoma më pak dua një vend ku qytetari nuk ka më besim se mund të marrë drejtësi. As nuk dua një vend ku një 19 vjeçar e nis jetën prej adulti me thyerje këmbët e tërhiqje zvarrë, gjasme në emër të një shteti ligjor që funksionon vetëm në favor të një shteti që sillet rrugëve si tank pa frena.
Një qeveri që vepron pa balancim pushtetesh, është jo legjitime, pavarësisht votave që ka marrë. Dhe kush sundon në këto kushte është bandit, pikërisht sepse nuk ka asnjë rrugë normale demokratike që institucionet ta pohojnë ose ta mohojnë këtë fakt.
Ndaj, mos u habisni nga revolta. Habituni që njerëzit kanë duruar kaq gjatë. Dhe ftoj paqedashësit që të mos merren vetëm me ata që hedhin gurët. Merruni pak edhe me ata që mbyllën valvulat. Sepse ky vend, si ajo tenxherja me presion po plas, dhe jemi të gjithë brenda.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.