Nga shëndeti mendor te inteligjenca artificiale: Çfarë sjell Lifestyle Conference 2026?
A mund të parandalohet sëmundja para se të kërkojë trajtim? Si duhet të flasim për shëndetin mendor? Si mund të reduktohen dëmet dhe të menaxhohen më mirë rreziqet shëndetësore? Dhe çfarë roli do të ketë mjeku në epokën e inteligjencës artificiale? Këto janë disa nga çështjet që do të hapin diskutime në edicionin e dytë të Lifestyle Conference, që mbahet nesër në Prishtinë.
Shëndeti nuk fillon në ordinancë dhe as nuk përfundon me një diagnozë. Ai lidhet me mënyrën se si jetojmë, zgjedhjet që bëjmë çdo ditë, kujdesin ndaj vetes dhe aftësinë për t’i identifikuar rreziqet para se ato të kthehen në probleme serioze. Pikërisht këto dimensione do të jenë në qendër të Lifestyle Conference 2026, përmes një programi që ndërthur perspektiva të ndryshme profesionale dhe sfida aktuale të shëndetësisë.
Programi do të trajtojë disa nga çështjet më të rëndësishme të shëndetit bashkëkohor, duke nisur me shëndetin mendor dhe kalimin nga ndërgjegjësimi te veprimi konkret, përmes diskutimit mbi sfidat dhe rëndësinë e mbështetjes profesionale. Vëmendje do t’i kushtohet edhe reduktimit të dëmit dhe qasjeve ndaj shëndetit, rrezikut dhe zgjedhjes, me fokus në rolin e profesionistëve dhe institucioneve në mbrojtjen e shëndetit publik. Një tjetër temë qendrore do të jetë parandalimi i sëmundjeve kronike përmes stilit të jetesës, duke vënë në pah rëndësinë e ushqyerjes, kujdesit parandalues dhe zakoneve të shëndetshme. Ndërkaq, prezantimi “Përtej Diagnozës: Parandalimi, Zbulimi i Hershëm dhe Shëndeti i Gruas” do të theksojë rëndësinë e kontrolleve parandaluese dhe identifikimit të hershëm, ndërsa “Prapa Algoritmit: Roli i Mjekut në Inteligjencën Artificiale” do të hapë diskutimin mbi mundësitë që sjell teknologjia në mjekësi dhe rëndësinë e ekspertizës njerëzore në këtë proces.
Përmes këtyre temave, Lifestyle Conference 2026 synon të nxisë një diskutim që shkon përtej identifikimit të sfidave, duke vënë theksin te rëndësia e parandalimit, vendimmarrjes së informuar dhe bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve, institucioneve dhe shoqërisë.
Nën moton “PËRTEJ NDËRGJEGJËSIMIT: E ARDHMJA E SHËNDETIT FILLON ME VEPRIM”edicioni i këtij viti përcjell një mesazh të qartë: ndërgjegjësimi ka vlerë kur shndërrohet në hapa konkretë për një të ardhme më të shëndetshme.
Të gjithë të interesuarit janë të ftuar të marrin pjesë në Lifestyle Conference 2026, e cila mbahet nesër, më 21 tetor 2026, nga ora 09:00, në Hotel Emerald, Salla Strauss, në Prishtinë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.