Opinion

Ngatërresa “naive” e Bashës me Vetting-un politik

Nga Skënder Minxhozi

Lulzim Basha vazhdon të ngulmojë se na duhet urgjentisht një veting për politikën. Si të thuash, nis papritur të bërtasë në publik për një sëmundje 30 vjeçare të sistemit: korrupsionin e politikës. Pardon! Jo korrupsionin, por lidhjet me krimin! Jo hajdutllëkun, por miqësitë dhe flirtet e politikanëve me të fortë e kriminelë!

Ky është propozimi “a la carte” i zotit Basha për të bërë pastërtinë e racës së politikanëve shqiptarë. Edhe dje ai vazhdoi t’i mëshojë idesë se duhet pastruar vetëm një rrethanë e zullumit politik, afrimiteti me krimin. Dhe duhet pastruar vetëm brezi i parë i fajtorëve, vetë politikanët.

Nuk duhet parë e hetuar kësisoj, as korruptimi i hatashëm i politikës, as paratë e fshehura nëpër banka e skuta që një dreq i di, por nuk duhen prekur as të afërmit, të cilët janë shumë shpesh bartësit e interesave e përfitimeve direkte të klasës politike në Shqipëri.

Vetingu selektiv i Lulzim Bashës i përqëndruar vetëm në kufijtë e vjetër ligjorë të dekriminalizimit, është në fakt një amnisti e kamufluar për të gjitha maskarallëqet financiare, vjedhjet e masakrat e parave publike që janë konsumuar në një çerek shekulli në piramidën e shtetit shqiptar. Të thuash se po largoj nga politika ata që kanë dalë në foto me një kriminel (vetë Basha është akuzuar nga pozita për diçka të tillë), por nuk do të prek me dorë malin e interesave të pista, parave te dyshimta, vilave, bizneseve e pronave të politikës, do të thotë ta lesh të paprekur gangrenën shqiptare.

Të fortët me nga pesë-gjashtë emra të parlamentit të shkuar ikën nga politika. Dolën nga dera e saj ashtu siç hynë: rastësisht e pa lënë asnjë gjurmë.

Puna është si të nxjerrim nga ajo sallë dhe nga të gjitha sallat e politikës ata që duke pasur një emër të vetëm, janë zhytur në llum e korrupsion shumëvjeçar, duke helmuar sistemin me shembullin dhe praninë e tyre.

Këtë Lulzim Basha nuk e thotë. Nuk i leverdis ta thotë mesa duket.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button