Nikolla nënshkruan marrëveshjen me Organizatën Evropiane për Kërkim Bërthamor
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, nënshkroi marrëveshjen me Organizatën Evropiane për Kërkim Bërthamor (CERN), që ka për qëllim bashkëpunimin ndërmjet institucioneve universitare shqiptare dhe atyre shkencore kërkimore ndërkombëtare.
Gjatë fjalës së saj në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, organizuar në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ministrja Nikolla theksoi rëndësinë që ka kjo marrëveshje për zhvillimin e kërkimit shkencor në Shqipëri, duke bërë të mundur që shkencëtarë, inxhinierë dhe teknikë nga Shqipëria të mund të zgjidhen dhe emërohen si anëtarë të personelit të CERN-it.
Sipas ministres, Shqipëria do të mbështesë projekte kërkimore të CERN-it për të cilat institutet shkencore dhe universitetet nga Shqipëria kanë ekspertizë të veçantë, duke përfshirë fushën e fizikës eksperimentale dhe teorike, përshpejtuese, e inxhinierisë elektronike, si dhe informatikën.
“Qeveria Shqiptare, në Programin e saj qeverisës e konsideron progresin shkencor si paraprijës të zhvillimit shoqëror, ekonomik e kulturor, si një faktor të konsolidimit demokratik dhe si një pjesë themelore të imazhit të Shqipërisë evropiane”, u shpreh Nikolla.
Ministrja tha ndër të tjera se krahas këtij bashkëpunimi të rëndësishëm me CERN, Shqipëria merr pjesë në programet e BE-së si “Horizon 2020” dhe Erasmus + .