Nis procesi i Vettingut, Lu: Ditë shprese për Shqipërinë
Një vit me vonesë nga hyrja në fuqi e Vettingut, godina e re u jep mundësi 3 organeve të ngritura pas ndryshimeve kushtetuese që të nisin punën për filtrimin e gjykatësve dhe prokurorëve.
“Është fakt se ato e kanë frenuar dhe penguar punën e sistemit në të gjithën e saj. Është fakt i pakundërshtueshëm se pa pastruar radhët tona, pa e konfirmuar përpara publikut se jemi ndarë nga elementët që janë shkaktarë të reputacionit tonë të dëmtuar rëndë në sy të publikut, do të ishte e pamundur të rifillojmë dhe të fillonim përmbushjen e njërës prej betejave tona me madhore, atë të krijimit të bindjes tek publiku se edhe drejtësia shqiptare është ashtu siç duhet të jetë, e drejtë dhe e ndershme”, tha Natasha Mulaj, kryetare e Kolegjit të Apelimit.
Procesi i Vettingut nis me kontrollin e pasurisë, figurës dhe kualifikimit të njerëzve të drejtësisë. Të parët në sitë, gjykatësit kushtetues. Por procesi do të ketë pasoja mbi gjithë shoqërinë përfshirë edhe sistemin politik.
“Ky është hapi i parë për të formatuar një sistem drejtësie, një sistem politike dhe shoqëror që duhet të ekzistojë vetëm mbi bazën e ligjit. Ky proces do të davarisë hijet e korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë dhe do të hedhë dritë mbi drejtësinë, drejtësinë që meritojnë shqiptarët dhe Shqipëria Europiane”, u shpreh Genta Tafa, kryetare e Komisionit të Kualifikimit.
Vettingu pritet të jetë një proces dinjitoz, edhe për shkak të monitorimit që do t’i bëjnë atij ndërkombëtarët.
“Komisionet e Vettingut janë të pavarura, por po kështu janë edhe vëzhguesit ndërkombëtar. Ne do të kërkojmë dhe investigojmë, do të vëzhgojmë dhe monitorojmë. Do t’i dokumentojmë opinionet dhe rekomandimet tona, duke pasqyruar vlerësimin tonë të ndershëm dhe të paanshëm për çdo rast. Nëse ato do të jenë në të njëjtën linje me vlerësimet e komisioneve të Vettingut, aq më mirë. Nëse nuk do të jetë kështu, ne nuk do të hezitojmë që t’u kërkojmë fort komisionerëve publik që të apelojnë”, Theo Jacobs, zv drejtor i ONM.
“Lajme të këqija, por kjo është ditë shprese për Shqipërinë”, tha ambasadori amerikan Lu.