Nis punën Komisioni i vlerësimit të dëmeve nga shpërthimi i gazit në Marinëz
Një Komision i përbashkët pune më përfaqësues të Qarkut, Prefekturës, kompanisë “Bankers Petroleum Albania” dhe të komunës së Marinzës, ka nisur sot punën për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga një shpërthim gazi dy ditë më parë në pusin nr.8 në zonën naftëmbajtëse Marinëz.
Përfaqësues të kompanisë “Bankers Petroleum” kanë deklaruar se do të kompensojnë cdo dëmtim të shkaktuar nga shpërthimi i gazit.
Në zonën ku shpërtheu gazi, për pasojë u evakuan rreth 100 familje, banesat e të cilëve ndodheshin pranë zonës dhe kanë pësuar dëmtime të ndryshme. “Bankers Petroleum” nisi operacionin për të izoluar pusin dhe rreziku i emetimit të mëtejshëm të gazit u eliminua.
Në këtë zonë puna vazhdon bashkë me autoritetet shtetërore për të plotësuar nevojat e banorëve që vazhdojnë të jenë të prekur nga ky shpërthim.
Përpjekjet për pastrim po vazhdojnë nga kompania, e cila tashmë po punon me autoritetet shtetërore për të vlerësuar ndikimin dhe për të siguruar kompensimin e duhur.
Drejtoria e Policisë së Fierit njoftoi dje nisjen e procedimit penal ndaj kompanisë “Bankers Petroleum” si shkaktare e shpërthimit të gazit.
Të mërkurën në orët e para të mëngjesit ndodhën dy shpërthime në dy puse në Marinëz. Aktualisht, komisioni për verifikimin e dëmeve do të përllogarisë dëmshpërblimin që do të marrin banorët për dëmet në shtëpi dhe toka bujqësore./