Nis zbatimi – Instituti IETL dhe Telegrafi.com nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për projektin “Media Bridge Hub”
Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë (IETL) dhe Telegrafi kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në zbatimin e projektit “Media Bridge Hub: Ndërtimi i një qendre të përbashkët burimesh për media lokale të qëndrueshme”.
Memorandumi u nënshkrua nga Besa Zogaj Gashi, Drejtoreshë Ekzekutive e IETL-së, dhe Gentian Lluka, Drejtor Ekzekutiv i Telegrafit. Memorandimi përcakton përgjegjësitë e të dyja palëve dhe mënyrën e bashkëpunimit gjatë zbatimit të projektit.
Me këtë ka nisur zbatimi i projektit që synon të forcojë qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e mediave lokale në Kosovë. Tetë media do të përzgjidhen për vlerësimin e nevojave dhe kapaciteteve të tyre. Në bazë të rezultateve, secila do të përfitojë plan të personalizuar, trajnime dhe mentorim në menaxhim, financa, zhvillim strategjik, teknologji dhe siguri kibernetike.
Në kuadër të projektit do të krijohet edhe një platformë digjitale me udhëzues, mjete dhe materiale praktike. Mediat e tjera në Kosovë do të mund të regjistrohen dhe të kenë qasje në burimet e platformës, duke zgjeruar përfitimet e projektit përtej tetë mediave pjesëmarrëse.
Së shpejti do të publikohet thirrja për mediat që dëshirojnë të bëhen pjesë e projektit. Aty do të përcaktohen kriteret dhe mënyra e aplikimit.
Projekti mbështetet nga programi rajonal SustainMedia, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, dhe i zbatuar nga GIZ dhe DW Akademie. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.