Nisën produktet e para drejt EFTA-s: Çfarë fiton Kosova nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë?
Dërgesa e parë nga Kosova drejt tregut të EFTA-s është nisur nga pika kufitare Dheu i Bardhë, duke shënuar fillimin konkret të zbatimit të marrëveshjes së tregtisë së lirë me Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin. Marrëveshja synon t’ua lehtësojë bizneseve eksportin e mallrave dhe shërbimeve.
Produktet e para nga Kosova tashmë kanë nisur rrugën drejt tregjeve të EFTA-s.
Në pikën kufitare Dheu i Bardhë është përcjellë drejt Zvicrës dërgesa e parë në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të EFTA-s. Dërgesa përbëhet nga shtëpi modulare të prodhuara nga kompania “Green House” nga Peja.
Kjo përbën një nga hapat e parë konkretë të zbatimit të marrëveshjes, e cila krijon një kornizë të re tregtare ndërmjet Kosovës dhe katër shteteve të EFTA-s: Zvicrës, Norvegjisë, Islandës dhe Lihtenshtajnit.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit përmes një njoftimi për media ka njoftuar me rastin e fillimit të zbatimit të marrëveshjes, tashmë nga terminali i pikës kufitare Dheu i Bardhë është nisur për eksport drejt tregjeve të EFTA-s produkti i parë nga kompania Greenhouse, një shtëpi modulare.
Në këtë ngjarje ka marrë pjesë zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Jeton Mehmeti, i cili uroi mbarësi për bizneset kosovare dhe shprehu pritjen që sa më shumë produkte “Made in Kosova” të gjejnë vend në tregjet e EFTA-s, duke krijuar njëkohësisht partneritete të reja.
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë është nënshkruar më 22 janar 2025 në Davos të Zvicrës, pas negociatave që kishin nisur në vitin 2022. Ajo mbulon tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, rregullat e origjinës, lehtësimin e tregtisë, barrierat teknike, masat sanitare dhe fitosanitare, pronësinë intelektuale, konkurrencën dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Në thelb, marrëveshja u krijon bizneseve kosovare kushte më të favorshme për të hyrë në katër tregje evropiane me fuqi të lartë blerëse.
Çfarë fiton Kosova?
Përfitimi kryesor për bizneset kosovare lidhet me tarifat doganore.
Për një numër të madh të produkteve industriale parashihet liberalizim i tregut, ndërsa për produktet bujqësore dhe ushqimore trajtimi ndryshon sipas kategorive: për disa produkte parashihen tarifa zero, ndërsa për të tjera zbatohen tarifa dhe kuota të përcaktuara në marrëveshje.
Kjo do të thotë se kompanitë kosovare që eksportojnë produkte në këto tregje mund të kenë kosto më të ulëta doganore dhe kushte më të favorshme për konkurrim.
Përfitimet janë veçanërisht të rëndësishme për sektorë si industria e drurit, metalit, tekstilit, letrës dhe produktet e përpunuara, për të cilat është paraparë liberalizim për një numër të madh produktesh.
Marrëveshja nuk lidhet vetëm me eksportin e produkteve.
Ajo përfshin edhe tregtinë e shërbimeve, duke krijuar mundësi për kompanitë kosovare që operojnë në fusha si teknologjia informative, shërbimet profesionale, konsulenca, ndërtimi dhe sektorë të tjerë.
Marrëveshja përmban kapitull të veçantë për shërbimet, si dhe dispozita për shërbimet financiare, telekomunikacionin dhe lëvizjen e personave që ofrojnë shërbime.
Një treg me katër shtete
EFTA përbëhet nga katër shtete: Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni.
Për Kosovën, rëndësia e veçantë e këtij tregu lidhet edhe me marrëdhëniet ekzistuese ekonomike, sidomos me Zvicrën.
Sipas EFTA-s, në vitin 2023 tregtia e mallrave ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s kishte arritur në 175 milionë euro, prej të cilave 76 milionë euro ishin importe nga Kosova dhe 99 milionë euro eksporte të vendeve të EFTA-s drejt Kosovës.
Me marrëveshjen e re, synimi është që bizneset kosovare të kenë më shumë mundësi për të rritur eksportet dhe për të zgjeruar praninë e tyre në këto tregje.
Marrëveshja nuk nënkupton se çdo produkt i prodhuar në Kosovë automatikisht hyn pa kushte në tregjet e EFTA-s.
Kompanitë duhet të përmbushin rregullat e origjinës, standardet, dokumentacionin dhe kërkesat teknike të përcaktuara në marrëveshje.
Pra, heqja apo ulja e tarifave doganore u jep bizneseve një mundësi më të mirë për konkurrim, por ato duhet të jenë në gjendje të prodhojnë produkte që plotësojnë kërkesat e tregjeve ku synojnë të eksportojnë.
Çfarë do të thotë kjo për ekonominë e Kosovës?
Nëse bizneset e shfrytëzojnë këtë mundësi, marrëveshja mund të ndikojë në rritjen dhe diversifikimin e eksporteve, zgjerimin e eksportit të shërbimeve, krijimin e partneriteteve të reja dhe forcimin e lidhjeve ekonomike me vendet e EFTA-s.
Dërgesa e parë e shtëpive modulare drejt Zvicrës është tashmë një shembull konkret i përdorimit të marrëveshjes në praktikë.
Lidhur me këtë marrëveshje kanë njoftuar edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës.
OEK thekson se tashmë produktet “Made in Kosova” hyjnë pa tarifa doganore në tregjet e EFTA-s.
“Nga 1 tetori 2026, ka hyrë në zbatim të plotë Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s – Zvicrës, Norvegjisë, Islandës dhe Lihtenshtajnit. Marrëveshja krijon mundësi të reja për bizneset kosovare, duke lehtësuar eksportin e produkteve vendore në një treg me mbi 15 milionë konsumatorë dhe fuqi të lartë blerëse”, thuhet në njoftim.
Përveç mallrave, mundësi të reja hapen edhe për eksportin e shërbimeve në TIK, ndërtim dhe shërbime profesionale, si dhe për investime dhe partneritete të reja.
Tani, bizneset kosovare kanë një mundësi të re për të zgjeruar eksportet, për të rritur konkurrueshmërinë dhe për ta fuqizuar praninë e produkteve “Made in Kosova” në tregjet evropiane, thuhet më tej.
Edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë mirëpret hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe vendeve të EFTA-s (Zvicrës, Norvegjisë, Islandës dhe Lihtenshtajnit), e cila paraqet një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e tregjeve për bizneset, rritjen e eksporteve dhe të investimeve të huaja direkte.
‘Marrëveshja krijon një kornizë të re dhe më të favorshme për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe katër vendeve të EFTA-s dhe përfshin tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, lehtësimin e tregtisë, rregullat e origjinës, investimet dhe fusha të tjera të rëndësishme për aktivitetin ekonomik.
DHTIK vlerëson se kjo marrëveshje duhet të shërbejë si një mundësi konkrete për ta rritur praninë e produkteve dhe shërbimeve kosovare në tregjet e EFTA-s, por njëkohësisht edhe për tërheqjen e investimeve të reja nga këto vende”.
Gjithashtu, DHTIK u bën thirrje institucioneve të Kosovës që të angazhohen maksimalisht për kapitalizimin e kësaj marrëveshjeje, përmes politikave dhe masave konkrete që do t’u mundësojnë bizneseve kosovare të rrisin kapacitetet prodhuese, të depërtojnë në tregjet e reja dhe të krijojnë partneritete me kompani nga vendet e EFTA-s.
Marrëveshja nuk garanton automatikisht rritje të eksporteve.
Heqja e tarifave është vetëm një pjesë e procesit. Për të përfituar nga tregu i EFTA-s, kompanitë kosovare duhet të kenë kapacitete prodhuese, produkte konkurruese, standarde të kërkuara dhe dokumentacionin e nevojshëm.
Rregullat e origjinës janë veçanërisht të rëndësishme. Një produkt nuk përfiton automatikisht nga tarifa preferenciale vetëm sepse është eksportuar nga Kosova; duhet të plotësojë kriteret e origjinës të përcaktuara në marrëveshje.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.