Nisma për uljen e TVSH-së në 6%/ Tabaku: Do ndihmojë shtresat në nevojë duke rritur dhe nxitur konsumin e tyre!
“Ulja e TVSH do bëjë atë që kanë bërë vendet e tjera të BE-së, atë që nuk po e bën dot qeveria, do ndihmojë shtresat në nevojë të rrisë dhe nxisë konsumin e tyre. Sot shumë vende të BE-së kanë TVSH edhe për ekonominë, kanë ulur edhe TVSH për energjinë. Propozimi ynë është konkret dhe i heq mundësinë qeverisë që të thotë është një nismë populiste dhe nuk i shërben qytetarëve”, tha ajo.
Sipas saj, ulja e TVSH për ushqimet e shportës, nxit dhe rrit konsumin e shtresave në nevojë, të cilat aktualisht janë braktisur nga qeveria.
“Do të bëjë atë që ka bërë në të gjitha vendet e tjera të BE-së, do të bëjë atë që nuk po e bën dot qeveria. Do të ndihmojë shtresat në nevojë që të rrisë dhe të nxisë konsumin e tyre. Sot shumë vende të BE-së kanë ulur TVSH-në si një nxitje dhe një stimulim për ekonominë. Sot shumë vende kanë ulur edhe TVSH-në për energjinë, siç rezulton në një ulje të çmimit të energjisë. Propozimi që ne kemi është shumë i thjeshtë dhe është shumë konkret. Të ndihmojmë atë pjesë të popullsisë që sot ka reduktuar dhe ka ulur konsumin. Të ndihmojmë shtresat në nevojë, të ndihmojmë ata që e kanë jetesën të papërballueshme”, tha Tabaku.
Ajo theksoi se efekti financiar i këtij ligji do të jetë 17 miliardë lekë, që s’është asgjë në krahasim me favoret që ka pasur buxheti i shtetit vitet e fundit.
“Është hequr renta minerare, është hequr VTSH-ja e jahteve. Ka pasur nxitje dhe iniciativa ligjore përsa i përket TVSH-së të cilat nuk kanë ndihmuar qytetarët, kanë shkuar në dobi të një grushti shumë të vogël njerëzish që nuk kanë nxitur ekonominë. Ne po kërkojmë që të paktën një herë në 8 vite, kjo qeveri të mbështesë një masë e cila është për qytetarët”, tha Tabaku.
E pyetur nga gazetarët se për çfarë arsye nuk e miratuat këtë ligj kur PD ishte në qeveri, ndërsa socialistët e propozuan atë, Tabaku tha se PS propozoi një tjetër mekanizëm, pasi TVSH-ja është një nga zërat më të rëndësishëm të buxhetit të shtetit.
“PS ka propozuar një mekanizëm tjetër. Ne e kemi edhe në vitin 2005 si një element të programit tonë. Ishte diskutuar që në momentin që TVSH-ja konsolidohet, kjo do të ishte një nga masat, sepse TVSH-ja është një nga zërat më të rëndësishëm të buxhetit të shtetit, kjo do ishte një nga masat që do merrej. Kjo është në përgjigje të një krize. Kjo nuk është një masë që ka ardhur nga asgjëja, është një përgjigje ndaj krizës së pandemisë që dëmtoi rëndë 95% të qytetarëve vitin e kaluar, është duke pasur pasoja akoma edhe sot, dhe është një përgjigje që janë duke e marrë të gjitha vendet. Ne nuk po themi që kjo do të funksionojë në mënyrë perfektë në rastin e Shqipërisë sepse këtu mungon kontrolli i tregut. Por kjo do të shkojë ndihmë direkt për qytetarët. Ulja e TVSH-së do të ketë një ndikim të menjëhershëm në treg, që sot çmimet kanë arritur në një situatë të jashtëzakonshme. Vetë qeveria e njeh që çmimet e shportës janë rritur me pothuaj 5%”, tha ajo.
Partia Socialiste gjatë kohës kur ishte në opozitë në vitin 2011, mbështeste fort uljen e TVSH-së për çmimet e shportës, madje duke shkuar dhe në nivel 0% për kategori të veçanta.