Nje delegacion i madh kinez viziton Tiranen
Zv/Kryeministri i Parë i Këshillit të Shtetit të Kinës Zhang Gaoli mbërriti të dielën për një vizitë dyditore (16-17 prill) në Shqipëri, në krye të delegacionit të nivelit të lartë.
Ai shoqerohet nga 5 ministra dhe nje grup i madh biznesmenesh.
Zv.kryeministri kinez do të pritet të hënën në takime zyrtare nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani dhe Kryeministri Edi Rama.
Vizita ka në fokus nxitjen e marrëdhënieve dypalëshe në kuadër të iniciativës “Brez dhe Rrugë”.
Në një intervistë për ATSH-në Ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës, Jiang Yu thotë se “nën përpjekjet e përbashkëta kino-shqiptare, marrëdhëniet dypalëshe kanë hyrë në pistën e zhvillimit të shpejtë”.
“Në vitin 2016 janë nënshkruar 8 marrëveshje dypalëshe, që mbulojnë fushën e diplomacisë, kulturës, të burimeve ujore, të burimeve njerëzore dhe ekonomiko-teknike; vëllimi i përgjithshëm i tregtisë dypalëshe arriti në 334 milionë dollarë, duke shënuar një rritje prej 9.8% në krahasim me vitin 2015; kryerja e blerjes së aeroportit ndërkombëtar të Tiranës dhe kompanisë së naftës Bankers Petroleum
nga kompanitë kineze, shndërron Kinën në një prej partnerëve më të rëndësishme tregtarë dhe një prej investitorëve kryesorë për Shqipërinë; ndërsa bashkëpunimet e dy vendeve në aspektin arsimor, kulturor, rinor, të botimit, mediatik, si dhe këmbimet e bashkëpunimet e pushtetit vendor janë në rritje të vazhdueshme”, tha ajo.
Iljaz Spahiu, sinolog dhe ekspert për çështjet me Kinën tha në një intervistë në Ora News se kjo është vizita më e rëndësishme që bëhet në Shqipëri që nga viti 1966.
Ai e sheh rëndësinë e kësaj vizite në tre plane.
“Delegacioni i lartë kinez që viziton Shqipërinë tregon seriozitetin me të cilin Kina i trajton marrëdhëniet me Shqipërinë. Së dyti, kjo vizitë synon vënien e piketave për të ardhmen. Është një delegacion gjigand prej 50 vetash në cilin ka 5 Ministra dhe zëvëndës/ministra. Shpresohet ti hapet rrugë projekteve konkrete mes Shqipërisë dhe Kinës në kuadër të dy programeve mjaft të mëdha siç janë mekanizimi i bashkëpunimit 16+1 dhe nisma “një brez një rrugë” që është rigjallërimi i rrugës së dikurshme të mëndafshit, ku Shqipëria është pjesë. Pritet të përfitojmë kryesisht në investimet në infrastrukturë”, vlerëson ai.