Një talent i ri në skenë, 17-vjeçari Nikolas Gjoni realizon koncertin e tij të parë me fizarmonikë e orkestër në Lezhë
17-vjeçari nga Lezha, nxënës i liceut artistik në Tiranë, solli në skenën e qytetit të tij muzikë klasike dhe krijimtari personale, nën vlerësimin e profesionistëve.
Një tjetër talent i ri i bashkohet të rinjve që përfaqësojnë Lezhën në fushën e artit. Siç njofton Shqiptarja.com, 17-vjeçari Nikolas Gjoni realizoi në qytetin e tij të lindjes koncertin e tij të parë recital, duke bashkuar fizarmonikën me tingujt e orkestrës.
Gjoni ndjek studimet në liceun artistik në Tiranë dhe pasionin për muzikën e zhvillon jo vetëm si interpretues i fizarmonikës, por edhe në fushën e kompozimit. Krahas veprave të kompozitorëve të mëdhenj, në koncert nuk munguan as krijimet e tij personale, të pritura me duartrokitje nga publiku.
“Ka akoma përmirësim për shumë gjëra. Këtu mbyllet periudha ime si interpretues me fizarmonikë, jam në vit të tretë. Më pas do të fokusohem te krijimtaria”, tha vetë Gjoni pas koncertit.
Kompozitori Zef Çoba e vlerësoi mbrëmjen si një ngjarje që meritonte vëmendjen e publikut, ndërsa dirigjenti Harlen Nikolli tha se me Nikolasin kishin nisur ta ideonin koncertin prej kohësh dhe se rruga e tij do të jetë e sigurt, duke e cilësuar Lezhën shembull për muzikën klasike.
Profesionistët që ndoqën koncertin e konsiderojnë Gjoni një tjetër talent të Lezhës, i cili me këtë koncert tregoi aftësitë e tij jo vetëm në interpretim, por edhe si krijues në hapat e parë të karrierës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.