Njihni Joanën e “Lalzit”
Kjo është historia e një vendimi gjyqësor që në formën e vet më të pastër, quhet plaçkitje. Prona është shtetërore dhe rrjedhimisht, duket se nuk ka patur kush t’u dalë për zot 45 dynymëve në Lalz.
45 mijë m2 tokë e pemishte pronë e shtetit në fshatin Draç, njësia Ishëm, Bashkia Durrës, me vendim gjyqi i kanë kaluar një shtetasi që e ka zaptuar atë në mënyrë të paligjshme për vitë të tëra. Tekstin e vendimit të gjykatës së Durrësit e ka publikuar faqja skandal.al, ku bëhet fjalë për një vendimmarrje teke, nga gjyqtarja Joana Qeleshi, njëherësh kryetare e gjykatës së rrethit, e komanduar në detyrë në fund të vitit 2013 me vetëm dy vjet eksperiencë. Le të fokusohemi tek vendimi.
Sipas përmbajtjes së tij, Hil Secuni në vitin 1991 ka zënë një sipërfaqje toke-pemishte, gjithsej 45 mijë metër katror, në gjirin e Lalëzit. Nuk dispononte asnjë dokument për të. Madje deri në mars të këtij viti – 2016, e gjithë sipërfaqja rezulton “pasuri e paluajtshme publike” në regjistrat e shtetit.
Por edhe pse kështu, me një vendim të mëparshëm po të gjykatës së Durrësit, fiton statusin e trashëgimlënësit për Pal Secunin, djalin e tij.
Pal Secuni i është drejtuar gjykatës së Durrësit me një padi ku kërkon që bashkia Durres, ta njohe për pronar në cilësinë e trashëgimtarit, të sipërfaqes në fjalë në fshatin Draç, njësia administrative Ishëm në bashkinë Durrës. Dhe gjykata e bën, shqyrton, gjykon dhe e shpall pronar të kësaj sipërfaqeje. Joana Qeleshi, gjykatesja e vetme në këtë proces merr këtë vendim në datën 25 mars 2016:
“Nga provat shkresore dhe ato me dëshmitare te shqyrtuara ne gjykim, rezulton se paditesi e ka pasur të rrethuar sipërfaqen e mësipërme prej 45 mijë metra katrore, ai është kujdesur dhe e ka shfrytëzuar këtë sipërfaqe si të ishte pronar i vetëm i saj.
Kështu, fillimisht paditësi ka pasur të ndërtuar në një pjesë të pasurisë një kioskë, të cilën e përdorte si bar-restorant gjatë muajve të verës ndërkohë është kujdesur duke mirëmbajtur, kositur e vaditur sipërfaqen tjetër të pretenduar si pronë e tij”.
Pikërisht. Dhe gjykatësja Joana Qeleshi thotë se këtë e ka provuar me dëshmitarë, 11 të tillë, të cilët i ka dëgjuar në seancë gjyqësore.
Pra siç edhe është shkruar në vendim, mundet që ti të zaptosh një pronë çfarëdo – aq më mirë një pasuri të tërë në gjirin e Lalëzit – ta zotërosh atë qetë dhe pa ndërprerje për 20 vite, të sillesh me të si të jesh pronar i vetëm dhe ti të bëhesh pronar i kësaj pasurie të paluajtshme. Pse? Sepse e ke vaditur dhe ke prerë ferrat…
Është provuar në gjyq që kjo sipërfaqe toke është prone publike shtetërore. Por atë s’e ka mbrojtur kërrkush. Madje as në gjyq. Gjyqi i mësipërm është zhvilluar në mungese te Bashkise Durrës, Avokaturës së Shtetit dhe Zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
Arsyeja e dajakut?
Vendimi në fjalë dyshohet se është arsyeja e masakrimit një javë më parë të një sipërmarrësi të huaj, Faad Mitri – përfaqësues me prokurë i shoqërisë së huaj OMNIX. Dy qeveri, ajo e Sali Berishës dhe aktualja, kjo e Edi Ramës, i kanë dhënë në shfrytëzim tamam këtë sipërfaqe prone publike, shoqërisë OMNIX, për të ndërtuar aty një resort turistik. Vlera e tij shkon në 180 milion dollarë.
Qeveria e Sali Berishës e ka marrë këtë vendim në vitin 2008. Pra prej atij vendimi, sipërfaqja e pronës së paluajtshme publike, ka qenë ligjërisht në përdorim të shoqerisë OMNIX. Për 5 vite të tjera, qeveria Berisha nuk pajisi me leje ndërtimi shoqërinë në fjalë. Vendimi për dhënien e lejes se ndertimit u dha nga KKT vetëm një muaj më parë, gjithnje në të njëjtën sipërfaqe.
Por gjykatësja Joana Qeleshi as që i ka shqyrtuar këto të dhëna të materializuara në vendime te institucioneve shtetërore. Në asnjë rresht të vendimit nuk përmendet statusi ligjor i asaj prone publike, madje as vendimet e institucioneve shtetërore për zhvillimin e kesaj prone. Shoqëria OMNIX kishte bërë gati nisjen e punimeve në ditët e para të Tetorit dhe kjo ka bërë edhe më agresivë njerëzit që e pretendojnë këtë pronë, thotë skandal.al.
Për vite të tëra kompania ka patur shqetësime deri në kërcënim për këtë pronë, dhënë për shfrytëzim e zhvillim nga qeveria e Shqipërisë. Kur sheh gjithë kronologjinë e kësaj historie, nuk mund të mendosh rastësinë sa i përket vendimmarrësve. I pari është Sali Berisha, qeveria e tij që ka nisur procedurën e ndërtimit të një resorti në këtë pronë, përmes shoqërisë OMNIX. Por është po ai që për pesë vite me radhë nuk e lëshoi një leje ndërtimi për këtë.
*******
Bukuroshja e Durrësit dhe vampirët e Tiranës
Në fillim të gushtit 2013, një vendim i KLD-së bëri xhiron e medias. Në fakt, ishte komandimi në krye të gjykatës së Durrësit i një vajze të re, të panjohur. Joana Qeleshi dihej vetëm se kishte punuar deri në vitin 2010 në zyrën avokatore të drejtuar nga Argita Malltezi dhe Flutura Kola. Mbiemri i saj zgjoi kuriozitetin e shtypit dhe u zbulua se ishte vajza e Arben Qeleshit, prokurori që dikur firmosi urdhër arrestin për Fatos Nanon. Biondja Joana sapo kishte mbaruar studimet dhe që atëherë studioja Argita&Flutura e dërgonin në QKR, taksa e tatime që të dorëzonte dokumentet të cilat duhej të regjistronte kjo studio. Emri i saj dilte thuajse në çdo akt të QKR-së kur media nisi botimin e dosjes Fazlliç në vitin 2008. Se çfarë lidhjeje ka Fazlliçi me pronat në Lalëz e Porto-Romano, është e tepërt ta elaborojmë më tej. Joana Qeleshi është një person që di shumë nga sekretet e ruajtura me fanatizëm të vajzës së ish-kryeministrit.
“Mjafton vetëm komandimi i saj në një gjykatë tepër të rëndësishme si ajo e Durrësit, që KLD-ja, e gjitha, pa asnjë përjashtim të askujt, të na sqarojë se mbi ç’bazë u zgjodh zonja Qeleshi. Çfarë kishte aq mbresëlënëse në CV-në e saj? Si e besuan një gjykatë me punë tepër voluminoze dhe me dosje të rëndësishme në duart e kësaj vajze?”, shkruante DITA në dhjetor 2013.
Tani, që presidenti Nishani asokohe thjesht ka zbatuar urdhrat, nuk do as mend as kalem. Në prag të dorëzimit të pushtetit të qeverisë Berisha, gusht 2013, duheshin bërë disa komandime kyçe në gjykata shumë domëthënëse. Dhe domethënia që lidh gjykatën e Durrësit, juristen e re të Studios së Argitës dhe vendimin që u morr në mars të këtij viti, është sigurisht gjiri i Lalzit. Ishte Argita Malltezi Berisha ajo që e “zbuloi dhe zhvilloi” këtë zonë tashmë të super-frekuentuar, dhe është gjyqtarja Joana Qeleshi me vendime të tilla, ajo që vazhdon suportin “juridik”, nëse mund të bëhet fjalë për ndonjë fije juridike në argumentin e vendimit.
Logjikisht, qëndron brenda Familjes gjithë mënyra e zhvillimit të pronës në Shqipëri këto 25 vjet: E grabite, ndërtove, ta gëzosh! Kush ka menduar se kjo logjikë mori fund, ka gabuar. Në vitin 2016 në gjykatën e Durrësit, nga kryetarja e saj, historia vazhdon: Ke pastruar ferrat në 45 dynymë? Epo të takon more vëlla! Ta garanton “bukuroshja e Durrësit” dhe “vampirët e Tiranës”.