NJU JORK – Guterres: Zgjidhja me dy shtete e vetmja rrugë drejt paqes izraelito-palestineze
NJU JORK, 29 nëntor /ATSH-DPA/ – Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, përsëriti sot thirrjet e tij për një zgjidhje me dy shtete në Lindjen e Mesme.
“E vetmja rrugë e zbatueshme drejt paqes në Lindjen e Mesme është zgjidhja me dy shtete, ku Izraeli dhe Palestina jetojnë krah për krah në paqe dhe siguri”, shkroi Guterres në platformën X.
Komentet e tij erdhën ndërsa OKB-ja shënonte Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit me Popullin Palestinez.
“Populli palestinez ka të drejtë për dinjitet, drejtësi dhe vetëvendosje”, shkroi Guterres.
”OKB-ja nuk do të lëkundet në përkushtimin e saj ndaj të vetmes rrugë të zbatueshme përpara: zgjidhjes me dy shtete, me dy shtete të pavarura, sovrane dhe demokratike – Izraelin dhe Palestinën – që jetojnë krah për krah në paqe dhe siguri”, tha ai.
Ndërkohë, një palestinez u vra gjatë natës në Madama, në Bregun Perëndimor, pasi u hodhën gurë në drejtim të ushtrisë izraelite, sipas raportimeve të mediave izraelite. Gjithashtu, u raportua se një oficer i ushtrisë izraelite (IDF) mbeti i plagosur gjatë përplasjes.
Situata në Bregun Perëndimor është përkeqësuar ndjeshëm që nga sulmet e udhëhequra nga Hamasi kundër Izraelit më 7 tetor 2023, si dhe lufta që pasoi në Gaza.
Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, më shumë se 1 100 palestinezë janë vrarë që atëherë gjatë operacioneve ushtarake izraelite, përplasjeve të armatosura dhe sulmeve.
Gjithashtu, është rritur ndjeshëm dhuna e ushtruar nga kolonë radikalë izraelitë kundër palestinezëve dhe pronave të tyre./ a.jor.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.