“Nobelistët” që ndihmojnë refugjatët, propozimi grek për banorët e ishujve dhe vullnetarët
Akademia e Athinës, Fondacioni Grek i Kulturës, Komiteti Olimpik Grek dhe Konferenca e Rektorëve të universiteteve të Greqisë kanë propozuar për çmimin Nobel të Paqes tre figura emblematike të lëvizjes vullnetare në Egje, të cilat përfaqësojnë të gjithë banorët e ishujve grekë dhe vullnetarët e huaj që kanë ndihmuar dhe ndihmojnë qindra mijëra refugjatë të persekutuar.
Bëhet fjalë për 85-vjeçaren Amalia Kambisi nga Sykamia e Lesbos, fotografia e së cilës bashkë me dy gjyshe të tjera që ushqejnë një foshnjë nga Siria bëri xhiron e botës para 3 muajsh.
Për peshkatarin 40-vjeçar Stratis Valiamo nga i njëjti fshat i ishullit, i cili ka shpëtuar me barkën e tij mijëra refugjatë dhe për aktoren e famshme dhe aktivisten Susan Sarandon, e cila vizitoi ishullin në dhjetor, për t’u gjendur pranë emigrantëve për të zbutur sadopak dhimbjen e tyre.
“Nuk është një rastësi që këta njerëz, që nga gjyshja e deri tek peshkatari, nga mësuesit e deri tek njerëzit e zakonshëm nxituan të ndihmojnë dhe të mbështesin ata që arrinin të dëshpëruar dhe të përndjekur nga një luftë që Greqia nuk e ka shkaktuar”, deklaroi Hristodoulos Gialoyridis, president i Fondacionit të Kulturës.
“Karakteristikë bazë e kësaj historie është nje flijim i shpirtit nga të gjithë grekët dhe kjo është ajo që ne duam të theksojmë, kjo është ajo që ne jemi duke e mbështetur për të kerkuar këtë çmim”, tha Thanasis Valtinos, president i Akademisë së Athinës.
Propozimi është dorëzuar pranë komisionit të Nobelit të Paqes disa orë para se të mbyllej procedura e aplikimeve, ndërsa rezultatet do të shpallen në vjeshtë.
Nëse çmimi shkon në Greqi, vlera e tij financiare do të ndahet proporcionalisht në spitalet e ishujve, ndërsa medaljoni do të ekspozohet në Muzeun e Akropolit.