“Nuk jam për aleancë qelbësirash”- Alibeaj paralajmëron Pashajn: Kujdes, në politikë ka edhe thika pas shpine! Nëse u
Politikani Enkelejd Alibeaj ka kundërshtuar idenë e një bashkimi politik mes forcave opozitare, në formën e një aleance të krijuar nga drejtuesit e partive, duke deklaruar se bashkimi duhet të nisë nga baza dhe të mbështetet në një platformë të përbashkët.
I ftuar në emisionin “Off the Record” në A2CNN, Alibeaj u shpreh kundër një bashkimi aritmetik, që konsiderohet shpesh me termin “aleancë qelbësirash”.
“Nuk jam për bashkimin aritmetikor nga sipër. PD-ja, Qori, Lapaj, Veliaj, Spiropali… Unë s’jam për aleancën e qelbësirave, sepse i mungon një gjë shumë e madhe, përveçse i mungon edhe aritmetika elementare, ku edhe sikur të gjithë t’i bësh bashkë, edhe Veliajn, edhe Spiropalin, përsëri nuk dalin mbi Ramën, i cili ndër të tjerat edhe i vjedh votat. Bashkimi duhet të jetë atje poshtë, në bazë, me ato ide dhe me atë karakter e platformë, që ka bërë bashkë atje, edhe përfaqësuesit abstenues, ‘Rama në burg, Berisha në burg’, demokratë të lodhur dhe socialistë të zhgënjyer”, deklaroi Alibeaj.
Ai komentoi gjithashtu deklaratat e mjekut Ermal Pashaj për mundësinë e bashkëpunimit të lëvizjes së protestës me forcat opozitare, duke e paralajmëruar se në politikë mund të përballet “me thika pas shpine”.
“Nëse do të kishte një bashkim, siç nuhata që zoti Pashaj po e thoshte… Mirë se erdhe në politikë tani, ku ka edhe thika pas shpine. Mësohu edhe me këtë, nëse je përfaqësues i protestës. Nëse je duke lëshuar sinjale të tipit, që sa mirë strukturohet protesta, dhe pasi të strukturohet do gjeni mundësinë dhe kohën për t’u ulur në një tryezë edhe me Sali Berishën, ndoshta edhe me Edi Ramën… Nëse është kjo ideja që të rehabilitoni pjesë të sistemit të vjetër, për të cilët shqiptarët kanë dalë aty jo se i thirre ti, kanë dalë vetë, arsyeja themelore që i nxori dhe i mban sot e kësaj dite, s’është thjesht të qenit kundër Ramës, por kundër një sistemi që ka prodhuar këto personazhe politike”, u shpreh Alibeaj.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.