Nxënësit e shkollës “Goce Dellçev” në Tetovë me uniforma e armë të improvizuara, paralajmërohet përgjegjësi
Manifestimi i shkollës fillore "Goce Dellçev" në Tetovë për 82-vjetorin e çlirimit të qytetit do të verifikohet nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit, ndërsa ministrja Vesna Janevska paralajmëron përgjegjësi nëse konstatohen parregullsi.
Manifestimi i shkollës fillore “Goce Dellçev” në Tetovë, me rastin e shënimit të 82-vjetorit të çlirimit të qytetit, do të jetë objekt i verifikimit nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit. Siç njofton Alsat, ministrja e Arsimit Vesna Janevska paralajmëron se do të kërkohet përgjegjësi nëse konstatohen parregullsi, pasi gjatë aktivitetit u shfaqën fëmijë të veshur me uniforma ushtarake dhe me armë të improvizuara.
Manifestimi u mbajt më 19 nëntor para Pallatit të Kulturës në Tetovë, ndërsa në program morën pjesë nxënësit e klasës së katërt të shkollës. Në njoftimin e publikuar në rrjetet sociale, shkolla bëri të ditur se nxënësit kishin marrë pjesë në programin festiv për këtë përvjetor, duke theksuar rëndësinë e njohjes së historisë dhe të kultivimit të dashurisë për qytetin.
Pas publikimit të pamjeve, Janevska u pyet nëse institucionet do të veprojnë edhe në këtë rast, ashtu siç ishte kërkuar ndërhyrja e inspektoratit para dy vitesh për një aktivitet në shkollën fillore “7 Marsi” në Çellopek. “Sigurisht, nuk ka dilemë. Do të veprojë edhe Inspektorati Shtetëror i Arsimit dhe, nëse vërteton se është e vërtetë, do të kërkohet përgjegjësi”, tha Janevska, duke shtuar se do të kërkohet edhe zbatimi i programeve për bashkëpunim dhe mirëkuptim ndëretnik e multikulturalizëm në shkolla dhe edukim shtesë, ashtu si në Çellopek.
Në nëntor të vitit 2024, në shkollën “7 Marsi” në Çellopek, disa nxënës shqiptarë ishin paraqitur me uniforma të UÇK-së dhe armë plastike gjatë një aktiviteti shkollor. Atëkohë Janevska kishte reaguar ashpër, duke kërkuar kontroll nga Inspektorati i Arsimit dhe duke paralajmëruar përgjegjësi për organizatorët; pas kontrollit, përgjegjësia iu la një mësimdhënëseje të shkollës, ndërsa rasti kishte shkaktuar reagime edhe në skenën politike.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.