Përfitime të reja për studentët, 20% zbritje dhe shujtë më e lartë
Përveç rritjes së shujtës studentore, studentët në Maqedoninë e Veriut pritet të përfitojnë edhe 20 për qind zbritje për blerjet te operatorët që do t'i përzgjedhë Qeveria, përmes aplikacionit elektronik për shujtën studentore.
Përveç rritjes së shumës së shujtës studentore, studentët në Maqedoninë e Veriut pritet të përfitojnë edhe zbritje shtesë për blerjet e tyre. Siç njofton Alsat, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, sqaroi se përmes kartelës ose aplikacionit për shujtën studentore, studentët do të kenë 20 për qind zbritje jo vetëm për ushqimin, por edhe për të gjitha produktet e tjera në dyqanet që do të përzgjidhen nga Qeveria.
“Ajo që është e rëndësishme është se do të bëhet fjalë për një aplikacion elektronik, përmes të cilit studentët, te të gjithë operatorët që do të përzgjidhen nga Qeveria, me kartelën e vaktit studentor do të përfitojnë 20 për qind zbritje. Pra, përmes aplikacionit elektronik për vaktin studentor ose kuponit për studentë, ata do të kenë 20 për qind zbritje për produktet që do të blejnë me ato mjete, si dhe 20 për qind zbritje shtesë për gjithçka tjetër që do të blejnë te operatori përkatës”, tha Janevska, siç transmeton Alsat.
Kryeministri Hristijan Mickoski përsëriti se shujta studentore do të rritet, por nuk tregoi se sa do të jetë shuma. Sipas tij, zgjidhja e re digjitale përmes aplikacionit e-Shërbime do të përfshijë edhe përfitime të tjera për studentët. “Ne vlerësojmë se në këtë mënyrë do ta lehtësojmë ndjeshëm jetën studentore dhe do ta përmirësojmë standardin e studentëve. Pres që shumë shpejt të dalim me këtë zgjidhje inovative digjitale, e cila shkon përtej konceptit të zakonshëm të vaktit studentor dhe përfshin një gamë shumë më të gjerë përfitimesh”, theksoi Mickoski.
Janevska paralajmëroi edhe takim me përfaqësuesit e studentëve nga të gjitha universitetet, për të diskutuar modelin para se të merret vendimi përfundimtar. Ndërkohë, siç njofton Alsat, Trupi Kombëtar Studentor ka paralajmëruar për nesër publikimin e rezultateve të referendumit studentor, që për disa ditë ishte i hapur për votim; rezultatet pritet të tregojnë qëndrimin e studentëve sa i përket modelit të ri për shujtën studentore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.