“Nyje strategjike në rajon”- Karakaçi nga Varshava: Nënshkruhen dy marrëveshje energjetike me SHBA për gazsjellësin ra
Shqipëria ka nënshkruar dy marrëveshje të rëndësishme në fushën e energjisë në kuadër të Ministerialit të Partneritetit Transatlantik për Bashkëpunimin Energjetik, të zhvilluar në Varshavë në bashkëpunim me Departamentin Amerikan të Energjisë.
Lajmi u bë i ditur nga ministri Enea Karakaçi, i cili në një prononcim pas përfundimit të punimeve theksoi rëndësinë strategjike të këtyre angazhimeve për vendin dhe rajonin.
Sipas ministrit Karakaçi, marrëveshja e parë ka në fokus gazsjellësin që ndërlidh Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Shqipërinë, duke e integruar atë me Gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP). Për këtë projekt, Shqipëria formalizoi bashkëpunimin me palën amerikane.
“Lajmi i mirë është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përfshira në këtë projekt dhe e konsiderojnë si nyje strategjike në rajon”, u shpreh Karakaçi.
Marrëveshja e dytë lidhet me vijimin e projektit të hidrocentralit të Skavicës, ku procesi po zhvillohet në partneritet me kompaninë “Bechtel”. Ministri bëri të ditur se puna po fokusohet në përmbylljen e studimeve mjedisore dhe të fizibilitetit.
“Kemi ecur mirë aty, po shikojmë edhe disa elemente të tjera teknike për ta bërë tashmë projektin të financueshëm”, deklaroi ai.
Gjatë qëndrimit në Varshavë, Karakaçi zhvilloi takime dypalëshe edhe me homologë të rajonit, përfshirë ministren bullgare të Energjisë. Të dyja palët ranë dakord për thellimin e bashkëpunimit, i cili pritet të konkretizohet me nënshkrimin e një marrëveshjeje të re në muajin dhjetor.
Në këtë kontekst, u vlerësua ecuria e projekteve të infrastrukturës energjetike, ku linja e transmetimit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut tashmë ka përfunduar, ndërsa po punohet për segmentin e Maqedonisë së Veriut që do të mundësojë ndërlidhjen e plotë të korridorit të transmetimit mes Bullgarisë dhe Shqipërisë.
Gjithashtu, në takimet me zyrtarët e Departamentit Amerikan të Energjisë u diskutua mbi mundësitë për rritjen e pranisë së investimeve amerikane në sektorin energjetik shqiptar. Duke analizuar klimën aktuale, Karakaçi vlerësoi se sektori ndodhet në një fazë pozitive zhvillimi falë reformave dhe përafrimit legjislativ me Bashkimin Europian.
“Kemi thithur investime të huaja, kemi rritur kapacitetet gjeneruese, sidomos të energjisë së rinovueshme, po zhvillojmë projekte të energjisë së erës dhe jemi shumë mirë të pozicionuar për tërheqjen e investimeve të huaja nga të gjitha shtetet e tjera”, përfundoi ministri.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.