Operacion antimafia në Napoli, 14 të arrestuar të lidhur me grupet shqiptare të drogës
Një operacion i madh i karabinierëve italianë në Napoli ka çuar në arrestimin e 14 personave të lidhur me klanin mafioz “Di Lauro”, i cili dyshohet se kishte krijuar lidhje të forta me grupet e trafikut të drogës nga Shqipëria.
Sipas mediave italiane, hetimet e koordinuara nga Drejtoria Antimafia e Napolit zbuluan se një grup narkotrafikantësh të lidhur me klanin “Di Lauro” furnizohej me drogë përmes kontakteve me mafian shqiptare, duke krijuar një rrjet të gjerë trafiku ndërkombëtar.
Në krye të grupit ishte 55-vjeçari Raffaele Paolo, i njohur me nofkën “O’ rockets”, i cili pas lirimit nga burgu në vitin 2019 kishte rikthyer aktivitetin kriminal. Ai dyshohet se organizonte shpërndarjen e kokainës dhe hashashit, si në rrugë ashtu edhe me dërgesa në banesa, duke bashkëpunuar me grupe të tjera kriminale në Napoli.
Hetuesit italianë thonë se grupi arrinte të trafikonte sasi të mëdha kokaine në aksin Secondigliano–Reggio Emilia, ndërsa aktiviteti kriminal shtrihej edhe në zona të tjera të Napolit.
Operacioni ka zbuluar se organizata kriminale ishte e lidhur me Vincenzo Di Lauro, djali i bosit historik të mafias napolitane Paolo Di Lauro, i njohur si “Ciruzzo ‘o milionario”, i cili ndodhet në burg nën regjimin e ashpër 41-bis.
Hetimet përfshijnë periudhën 2020–2023, ndërsa akuzat ndaj të arrestuarve janë “organizim kriminal për trafik droge” dhe “posedim droge me qëllim shpërndarjen”.
Gjatë hetimeve, autoritetet italiane arrestuan edhe gjashtë persona të tjerë të përfshirë në rrjetin e shpërndarjes dhe sekuestruan disa kilogramë kokainë dhe hashash.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.