Berisha: Çdo i mitur që sulmohet, është i mirëpritur në selinë e PD, jemi në mosbindje civile
Protesta ka mbërritur mbrëmjen e djeshme në derën e Partisë Demokratike. Fillimisht ishin deputetë të opozitës që dolën jashtë godine për tu ballafaquar me forcat policore me pretendimin se selia ishte mbushur me gaz lotsjellës e brenda kishte persona që pësuan e komplikacione shëndetësore.
Nuk vonoi e në oborrin e selisë blu mbërriti ambulanca duke shoqëruar për të spital një djalë të ri, i cili nuk ishte ndjerë mirë nga prania e gazit lotsjellës. Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, doli me një prononcim për mediat, duke e konsideruar ngjarjen një sulm apo promovim me urdhër të kryeministrit Edi Rama dhe vartësve të tij.
“Sot njeriu që po përpiqet të përzgjedhë vendin e azilit politik dhe i them këtu para shqiptarëve se, vendi i azilit do të jetë qelia e burgut për Edi Ramë. Çfarë kishte planifikuar? Sot përhap nëpërmjet rrjetit të tij brenda në protestë, përhap lajmin se kryeministrinë nuk e marrin dot, dhe duhet të sulmohen dy selitë e partive të mëdha. Për këtë qëllim ai mori dhe futi në selinë e partisë së tij 3 inspektoriate, banditë nga kartelet e drogës, të armatosur, të pajisur me hunj dhe mjete të tjera. I dështoi. Pse i dështoi?
Sepse puthadorët e Ramës në këtë lëvizje nuk i ndoqi njeri. Jo i thanë, nuk kemi asnjë punë, ata janë në protestë me ne dhe ne nuk vijmë. Dështoi të sillte protestuesit që shprehnin urrejtjen ndaj partisë së krimit, sigurisht që ata nuk kishin pse vinin. Dhe i dështoi projekti. Tani që i dështoi projekti, i kemi me prova, përpiqen, bëjnë përpjekjen e dytë që kjo seli e PD-së do sulmohej nga ora 8:30 në orën 9:30. Përsëri njerëzit e vërtetë të protestës që janë shumica dërrmuese nuk mund të manipuloheshin dhe jagot e Edi Ramës në lëvizje, e braktisën masivisht”, tha Berisha.
Pretendimet që në selinë e PD ishin fshehur të mitur nga protesta e të maskuar që po i iknin policisë, Berisha nuk i mohoi, përkundrazi, tha se PD është një derë e hapur për të rinjtë që sulmohen padrejtësisht nga forcat policore.
“Çdo i mitur që sulmohet është i mirëpritur dhe do mbrohet në përputhje me ligjet nga Partia Demokratike. Mbrojtja e të miturit është detyrë themelore e çdo të rrituri. Ata që sulmojnë të miturit, ata shkelin ligjet dhe kushtetutën e vendit. Unë nuk isha i informuar me këtë, por unë i përgëzoj demokratët që i kanë marrë në mbrojtje ata dhe do t’i marrin në mbrojtje, sepse ky është një narkoshtet që sulmon të miturit”, tha Berisha.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.