Opozita kritikon Qeverinë për humbjen e 43.8 milionë eurove nga Plani i Rritjes
LDK-ja dhe Aleanca e fajësojnë ekzekutivin për mospërmbushjen e gjashtë hapave të reformave, pas raportimit të kryenegociatorit Jeton Zulfaj në Komisionin për Integrim Evropian.
Partitë opozitare në Kosovë e kanë kritikuar të hënën Qeverinë për humbjen e 43.8 milionë eurove nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, pasi kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, njoftoi gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Evropian se nga 13 hapat e reformave me afat deri në qershor ishin përmbushur vetëm shtatë, ndërsa gjashtë të tjerë nuk ishin realizuar, siç raporton Objektivi.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka fajësuar Qeverinë për mosrealizimin e reformave, duke rikujtuar edhe humbjen e 613.4 milionë eurove gjatë mandatit të kaluar. “43.8 milionë euro Kosova ka humbur nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, pasi nuk ka arritur t’i përmbushë gjashtë nga 13 hapat e reformave për të cilat afati i fundit ishte qershori i këtij viti. Mos harroni se në mandatin e kaluar Kosova ka humbur 613.4 milionë euro, sepse falë Qeverisë për 960 ditë kemi qenë nën masat ndëshkuese të BE-së”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka cilësuar humbjen si dëshmi të radhës të dështimit të Qeverisë, duke e akuzuar ekzekutivin për mungesë vizioni, pune dhe llogaridhënieje, raporton Ekonomia Online. “Të humbësh miliona euro fondesh pa kthim në një nga vendet më të varfra të Evropës nuk është gabim apo vonesë burokratike, është papërgjegjshmëri absolute dhe goditje e drejtpërdrejt ndaj të ardhmes së Kosovës”, thuhet në reagimin e Aleancës.
Sipas Aleancës, në një kohë kur çmimet po rriten dhe bizneset po përballen me vështirësi, fatura e këtij dështimi nuk e paguajnë qeveritarët, por qytetarët e Kosovës.
Kryenegociatori Zulfaj ka bërë të ditur se Kosova ka përpara edhe 22 hapa të tjerë reformues, në vlerë prej 131.5 milionë eurosh, të cilët duhet të përmbushen deri më 31 dhjetor të këtij viti, ndërsa shumica e reformave të papërmbushura kanë kërkuar miratimin e projektligjeve në Kuvend, në periudhën kur ai ishte i shpërndarë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.