Qeveria miraton projektbuxhetin për vitin 2027 prej 4.27 miliardë euro, koeficienti i pagave shkon në 120 euro nga korriku
Projektbuxheti i vitit 2027 është 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar i vitit 2026; 908 milionë euro shkojnë si financim direkt për komunat, ndërsa paga e 13-të dhe rritja e koeficientit janë pjesë e paketës.
Qeveria e Kosovës ka prezantuar dhe miratuar të hënën projektbuxhetin për vitin 2027, i cili kap vlerën e 4.27 miliardë eurove, siç njofton Telegrafi. Kryeministri Albin Kurti tha se projektbuxheti i vitit të ardhshëm është 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar për vitin 2026 dhe 300 milionë euro më i lartë se buxheti fillestar i këtij viti.
Sipas Kurtit, nga shuma e përgjithshme, 908 milionë euro do të ndahen si financim direkt për komunat e Kosovës — buxhet rekord edhe për komunat, që vjen, siç tha ai, si rezultat i rritjes së vazhdueshme të granteve qeveritare. Kurti vlerësoi se rritja ekonomike ka qenë 5.4 për qind në tremujorin e parë dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti, gjë që, sipas tij, e vendos Kosovën te vendet me rritjen më të shpejtë në rajon.
Në projektbuxhetin 2027, Administrata Tatimore e Kosovës parashihet të mbledhë të hyra në vlerë sa 60 për qind e atyre që do t’i mbledhë Dogana e Kosovës, ka bërë të ditur kryeministri gjatë prezantimit në mbledhjen e Qeverisë.
Buxheti 2027 parasheh pagën e 13-të në pjesën e parë të vitit dhe rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga 1 korriku 2027. Kjo e çon buxhetin e pagave në 1 miliard e 85 milionë euro, që për rreth 85 mijë punonjës publikë nënkupton pagë mesatare bruto mbi 12 mijë euro në vit, apo mbi 1 mijë euro bruto në muaj. Në buxhet është paraparë edhe rritja e mbështetjes për ekipet mbrojtëse të katër ish-krerëve të UÇK-së, sipas kërkesës së parashtruar nga ekipet mbrojtëse.
Në linjë me premtimin për dyfishimin e shtesave për fëmijë, Qeveria ka buxhetuar rritjen graduale në katër faza, me nga 25 për qind çdo vit mbi shumën aktuale: nga 1 janari 2027, pastaj në janar 2028, 2029 dhe 2030, kur kompletohet dyfishimi. Pas miratimit në Qeveri, projektligji për buxhetin e vitit 2027 duhet t’i procedohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe votim.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.