OSHEE nuk kërkon rritje të çmimit të energjisë për 2016
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, nuk kërkon rritje të çmimit të energjisë elektrike për vitin 2016.
Burime nga OSHEE-ja thanë të enjten për ATSH-në se është plotësuar detyrimi ligjor për rishikimin e tarifave në ERE, por nuk është kërkuar ndryshim çmimi për 2016.
Sipas statistikave më të fundit të bëra publike nga OSHEE, në muajin gusht 2015 humbjet u ulen në nivel rekord, ndërsa u theksua se vazhdon ritmi pozitiv i arkëtimeve.
Në total, si 8-mujor, arkëtimet arritën në vlerën e 44,4 miliardë lekë, ndërsa humbjet në total si 8-mujor, tekniket dhe jo tekniket, arritën në 31.72 %, nga 39.4 % që ishin në të njëjtën pjesë të vitit 2014.
Lidhur me nivelin e shpenzimeve për vitin 2016, burimet thanë se do të vijojnë të përballohen me rritjen e arkëtimeve nga faturimet dhe duke eliminuar humbjet në rrjet.