Pa partitë opozitare: Votohet Qeveria “Kurti 4”, Albin Kurti merr mandatin e ri si kryeministër
Me 62 vota për dhe tetë kundër (të Listës Serbe) është zgjidhur Qeveria Kurti 4 në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Kuvendi i Kosovës. Pas votimit të Qeverisë është betuar kabineti qeveritar.
Kuvendi i Kosovës ka votuar për përbërjen e Qeverisë pas konstituimit të Kuvendit, duke e zyrtarizuar kështu edhe formimin e institucioneve të vendit.
Albin Kurti është zgjedhur kryeministër për mandatin e ri qeverisës, pas seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të mbajtur sot, ku në rend dite ishte zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Seanca u zhvillua pas konstituimit të Kuvendit dhe mandatimit të Kurtit për formimin e Qeverisë së re. Përbërja e kabinetit të ri u paraqit para deputetëve, të cilët më pas votuan për Qeverinë.
Zhvillimet e sotme u shoqëruan me përplasje politike, pasi PDK dhe Aleanca njoftuan se nuk do të merrnin pjesë në seancën për votimin e Qeverisë, ndërsa edhe LDK-ja bëri të ditur se nuk do ta votonte Qeverinë Kurti.
Në anën tjetër, deputetët e Listës Serbe ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit gjatë seancës.
Me votimin e sotëm, Kurti rikthehet në krye të ekzekutivit për një mandat të ri.
Formimi i Qeverisë së re vjen pas një periudhe të gjatë të zhvillimeve politike dhe procedurave për konstituimin e institucioneve të reja të vendit.
Ky është kabineti qeveritar “Kurti 4”
- Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca
- Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla
- Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim, Fikrim Damka
- Ministër i Financave, Hekuran Murati
- Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti
- Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci
- Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla
- Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit, Lulëzon Jagxhiu
- Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia
- Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku
- Ministër i Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci
- Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani
- Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi
- Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli
- Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja
- Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha
- Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë: Mimoza Kusari
- Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli
- Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq
- Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri
Kurti premton pagë mesatare mbi 1 mijë euro, dyfishim të shtesave për fëmijë e krijim të valutës digjitale
Albin Kurti ka thënë se vizioni i qeverisë së re do të jetë “punë për qytetarin e mbrojtje për familjen”.
Ai ka thënë se gjatë pesë vjetëve e gjysmë nën qeverisjen e tij ka pasur një rritje mestarë ekonomike prej 6 për qind të bruto produktit vendor.
Kurti ka thënë se në përputhje me buxhetin do të dyfishohen shtesat për fëmijë.
“Nga 45 sa janë për çdo fëmijë për familjet me tre e më tepër fëmijë, në 90 euro. Me këtë rritje lëmë prapë edhe disa shtete të Bashkimit Evropian sa i përket shtesave për fëmijët”, tha Kurti në ekspoze.
Ai ka thënë se është punuar “për nënat, fëmijët, veriun, ushtrinë e bujqësinë” dhe se kjo do të vazhdojë edhe mandatin e ri.
Tha se do të rritet paga mesatare në sektorin publik në 1000 euro në muaj, e po ashtu tha se do të hiqet taksa doganore prej 10 për qind për veturat e importuara nga Bashkimi Evropian.
“Punëtorët, paga minimale prej 500 eurosh nuk do të tatohet, me rritjen ekonomike do të vazhdojë edhe rritja e pagave në sektorin publik, ku paga mesatare sipas pritjeve të tanishme do ta kalojë shumën prej 1 mijë eurosh në muaj. Raporti ndërmjet pagës më të ulët dhe asaj më të lartë është përmirësuar, nga 20 me 1 sa e patëm gjetur, në 4 me 1”, tha Kurti.
Ai premtoi po ashtu pagën e 14-të për punëtorët e sektorit publik.
E shtoi se ligji për çmimet tavan do t’i mbrojë qytetarët e tregtarët e ndershëm nga abuzimi.
Kurti po ashtu tha se do të zhvillohet valuta digjitale e Kosovës e mbështetur në teknologjinë “blockchain” për pagesa e shërbime digjitale dhe tha se do të ndërtohet Kulla Teknologjisë Informative në Prishtinë.
Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës nuk kanë marrë pjesë në seancën për formimin e Qeverisë e cila u thirr nga ora 14.
Partia Demokratike para fillimit të vazhdimit të seancës konstituive ka thënë se nuk do marrin pjesë në asnjë seancë deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkaq deputeti i Aleancës Burim Ramadani gjithashtu ka deklaruar se nuk do të marrin pjesë në këtë seancë, derisa e ka cilësuar antikushtetuese.
Si u konstituua Kuvendi?
Kuvendi u shpall i konstituuar pasi u zgjodhën nënkryetarët nga radhët e LDK-së dhe komuniteteve pakicë.
Partia Demokratike e Kosovës nuk mori pjesë në seancë dhe paraprakisht e kishte tërhequr kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare.
Kryesuesja e seancës, Albulena Haxhiu, tha se Kuvendi “nuk mund të mbetet peng i askujt, i asnjë subjekti politik”.
Kandidati i LDK-së për nënkryetar, Kujtim Shala, u zgjodh me 75 vota.
Pas tetë kandidaturave të dështuara nga Lista Serbe, u zgjodh edhe deputetja serbe Tanja Vujoviq. Ajo mori votat e LVV-së dhe të disa deputetëve të LDK-së.
Pas votimit të nënkryetarëve, Haxhiu deklaroi se Kuvendi “konsiderohet i konstituuar”.
PDK-ja kundërshton interpretimin se Kuvendi është konstituuar pa nënkryetarin e saj.
Deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda, tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që lejon, në rrethana të caktuara, funksionimin e Kuvendit pa një anëtar të Kryesisë nuk mund të zbatohet në këtë rast.
Sipas Grudës, PDK-ja nuk ka hequr dorë nga e drejta për të propozuar nënkryetarin, por vetëm e ka pezulluar përkohësisht ushtrimin e kësaj të drejte, derisa Gjykata Kushtetuese të sqarojë situatën.
Ai tha se “askush nuk mund të përfitojë nga shkelja e vet”, duke argumentuar se LVV-ja nuk mund t’i shkelë afatet për konstituimin e Kuvendit dhe më pas të përdorë këtë situatë për t’ia mohuar PDK-së të drejtën për të propozuar nënkryetarin.
PDK-ja ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Në një vendim të mëhershëm, Gjykata Kushtetuese kishte lënë të hapur mundësinë që Kuvendi, në rrethana të caktuara, të funksionojë edhe pa një nga anëtarët e Kryesisë, nëse zgjedhja e tij pamundësohet dhe Kryesia ka kuorum për vendimmarrje.
Si një rrethanë e tillë ishte përmendur rasti kur një deputet ose grup parlamentar që ka të drejtë të propozojë anëtar të kryesisë nuk e ushtron këtë të drejtë ose e pengon procesin.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.