FOKUS – G20 nis takimin në atmosferë tensionesh globale
ATLANTA, , 30 tetor /ATSH – AA/ – Sot në SHBA filloi takimi i ministrave të Jashtëm të G20-ës, duke mbledhur kryediplomatët e ekonomive kryesore të botës për dy ditë diskutimesh mbi sfidat urgjente ekonomike globale, tensionet gjeopolitike dhe çështjet e sigurisë ndërkombëtare.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, është nikoqir i takimit që po mbahet në Atlanta të Xhorxhias, ku fokusi kryesor do të jetë te rritja ekonomike, siguria energjetike dhe ushqimore, liria e lundrimit dhe qëndrueshmëria e zinxhirëve globalë të furnizimit.
Takimi mbahet në një kohë kur vazhdojnë konfliktet ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë dhe tensionet me Iranin, të cilat vijojnë të ngrenë shqetësime për stabilitetin rajonal dhe ndikimin e tyre në ekonominë globale.
Në mesin e pjesëmarrësve janë ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, dhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov.
Fidan pritet të trajtojë situatën në Rripin e Gazës, tensionet mes SHBA-së dhe Iranit, si dhe rëndësinë e garantimit të sigurisë së rrugëve strategjike detare. Ai pritet gjithashtu të theksojë përpjekjet diplomatike të Turqisë për promovimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.
Lavrov, i cili kryeson delegacionin rus, pritet të bëjë thirrje për bashkëpunim më të madh ekonomik dhe dialog të barabartë mes anëtarëve të G20-ës. Moska ka kritikuar gjithashtu vendimin e Washingtonit për të përjashtuar Afrikën e Jugut nga procesi i G20-ës, duke bërë thirrje për rikthimin e të drejtave të saj si anëtare.
Presidenti amerikan, Donald Trump, kishte njoftuar më herët se Afrika e Jugut nuk do të marrë ftesë për samitin e vitit 2026. Vendimi erdhi pas bojkotimit nga Washingtoni të samitit në Johanesburg dhe u bazua në pretendimet e Trumpit për persekutimin e fermerëve të bardhë në Afrikën e Jugut.
Grupi i Njëzetëshes (G20) është një forum ndërkombëtar që bashkon ekonomitë kryesore të zhvilluara dhe ato në zhvillim të botës për të diskutuar dhe koordinuar politikat ekonomike globale, si dhe për të trajtuar sfidat kryesore ndërkombëtare.
I themeluar në vitin 1999, pas krizës financiare aziatike, anëtarësimi i tij aktual përbëhet nga 19 vende, Bashkimi Evropian dhe Bashkimi Afrikan, i cili iu bashkua në vitin 2023.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.