SHBA – Revolta kundër inteligjencës artificiale, në shënjestër qendrat e të dhënave
– Ndërtimi i qendrave të mëdha të të dhënave në SHBA, po përballet me një kundërshtim gjithnjë e më të madh nga banorët, ndërsa shqetësimet për konsumin e energjisë elektrike, përdorimin e ujit dhe ndikimin në mjedis, kanë bashkuar qytetarë dhe përfaqësues të të dyja partive kryesore politike, demokratëve dhe republikanëve.
Sipas një raportimi të agjencisë “Reuters”, votuesit në 10 shtete amerikane do të shqyrtojnë më 3 nëntor, propozime për të kufizuar ndërtimin e qendrave të reja të të dhënave në komunitetet e tyre.
Në të paktën 38 zona lokale, janë paraqitur 41 propozime që synojnë të shtyjnë, ndalojnë ose vendosin kushte të reja për ndërtimin e këtyre objekteve, të cilat ofrojnë fuqinë kompjuterike të nevojshme për funksionimin e aplikacioneve të inteligjencës artificiale dhe ruajtjen e përpunimin e sasive të mëdha të informacionit.
Kundërshtimi po merr një karakter të pazakontë politik, pasi qytetarë me bindje të ndryshme po bashkohen kundër projekteve të reja.
“Ne të gjithë duam të njëjtën gjë”, tha Jessica Baker, një aktiviste lokale pjesë e organizatës Conserve Ohio, e cila kundërshton ndërtimin e disa prej këtyre objekteve.
Sipas saj, shqetësimet kryesore lidhen me sasinë e madhe të energjisë elektrike dhe ujit që kërkojnë qendrat e të dhënave.
Banorët kanë shprehur gjithashtu frikë për pasojat e mundshme shëndetësore për fëmijët dhe familjet që jetojnë pranë tyre, përfshirë problemet me frymëmarrjen.
Ohajo, në qendër të kundërshtimit
Një nga shtetet ku kundërshtimi është më i dukshëm është Ohajo, një prej tregjeve me rritjen më të shpejtë të investimeve në qendrat e të dhënave.
Më shumë se 12 zona lokale në këtë shtet, do të shqyrtojnë 21 propozime për kufizimin e ndërtimit të tyre.
Një prej rasteve më të rëndësishme është qyteti Sunbury, pranë Kolumbusit, ku një propozim synon të ndalojë ndërtimin e qendrave të të dhënave, që konsumojnë më shumë se 25 megavat energji elektrike.
Nëse miratohet, masa mund të pengojë projektin e “Amazon” për ndërtimin e një qendre të të dhënave me vlerë 2 miliardë dollarë.
Kompania “Amazon” nuk ka bërë të ditur nëse rezultatet e këtyre votimeve do të ndikojnë në planet e saj për zgjerimin e investimeve në SHBA.
Megjithatë, kompania deklaron se po bashkëpunon me banorët dhe autoritetet lokale, duke argumentuar se qendrat e të dhënave krijojnë vende pune, sjellin të ardhura nga taksat për ekonomitë lokale dhe mbështesin teknologjitë që përdorin konsumatorët.
Kundërshtimi nuk e ka ndalur zgjerimin e industrisë
Pavarësisht protestave dhe përpjekjeve për të kufizuar ndërtimin e tyre, zgjerimi i qendrave të të dhënave në SHBA vijon me ritme të larta.
Sipas të dhënave të kompanisë së kërkimit të tregut “Cushman & Wakefield”, kapaciteti i qendrave të të dhënave në ndërtim në SHBA, u rrit me 48% nga dhjetori 2025 deri në qershor 2026.
Baron Fung, përgjegjës për kërkimet mbi infrastrukturën e teknologjisë së informacionit në kompaninë “Dell’Oro Group”, vlerëson se zhvilluesit mund të zhvendosin projektet në zona të tjera, nëse përballen me ndalime ose vonesa në komunitetet ku planifikojnë të investojnë.
Sipas tij, kompanitë kanë mundësi ta zhvendosin kërkesën për kapacitete kompjuterike në vende të tjera, në vend që të heqin dorë plotësisht nga projektet.
Industria përballet gjithashtu me vështirësi të tjera, përfshirë pritjen prej disa vitesh për t’u lidhur me rrjetin elektrik dhe rritjen e kostove të ndërtimit.
Debati për qendrat e të dhënave po bëhet kështu një nga çështjet e rëndësishme të zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, ndërsa komunitetet lokale kërkojnë më shumë kontroll mbi projektet që ndërtohen pranë zonave të tyre të banimit.
Përplasja kryesore lidhet me përfitimet ekonomike dhe teknologjike që sjellin këto investime, nga njëra anë, dhe kostot e mundshme për energjinë, ujin dhe cilësinë e jetesës së banorëve, nga ana tjetër. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.