Pagat e magjistratëve/ Malaj: Nuk është përplasje mes ekzekutivit dhe drejtësisë, buxheti preket vetëm me ligj
Çështja e pagave të magjistratëve ka nxitur një debat më të gjerë në Kuvend, ku ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se pavarësia e gjyqësorit nuk vihet në diskutim, ndërsa theksoi se politikat e shpenzimeve publike, përfshirë edhe pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, përcaktohen nga Kuvendi përmes ligjit.
“Pavarësia e gjyqësorit nuk vihet në diskutim dhe e ka përcaktuar qartësisht Kushtetuta. Politikat e shpenzimeve publike, përfshirë edhe pagat e gjyqtarëve, janë kompetencë e Kuvendit. Ministria e Financave e zbaton punën e saj për hartimin dhe zbatimin e buxhetit mbi bazën e ligjit. Buxheti preket vetëm me ligj”, u shpreh Malaj.
Ministri shpjegoi gjithashtu rolin e Thesarit në procesin e ekzekutimit të pagesave. Sipas tij, pagesat që paraqiten nga institucionet kontrollohen për të verifikuar nëse janë në përputhje me bazën ligjore. Malaj e cilësoi këtë mekanizëm si një mënyrë për mbrojtjen e parave publike.
“Thesari kontrollon dhe ekzekuton pagesat që institucionet paraqesin, pasi ato janë në përputhje me ligjin. Nëse gjithçka është në rregull, pagesa ekzekutohet. Por nëse ka mospërputhje apo një rritje që nuk është reflektuar në procedurat përkatëse, atëherë jepet sinjali që kjo pagesë të mos kryhet pa bazën ligjore. Kjo është logjika e Thesarit. Ky është një mekanizëm që mbron paratë publike. Angazhimi ynë i përditshëm është të garantojmë ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike dhe këtë nuk e zbatojmë me gjuhën e kërcënimeve të prangave. Kjo nuk është një përplasje muskujsh mes ekzekutivit dhe sistemit të drejtësisë”, deklaroi ministri.
Duke iu referuar padisë që gjykatësit i kanë bërë punonjësve të Thesarit dhe vetë Ministrit të Financave, Malaj pyeti se ku qëndron shkelja ligjore në rastin kur zbatohen procedurat dhe kërkesat e ligjit.
“Angazhimi ynë i përditshëm është të garantojmë ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike dhe këtë nuk e zbaton me gjuhen e kërcënimeve të prangave. Ku ndodh kjo? Ku është shkelja që ka bërë Thesari apo Ministri i Financave? Ku është shkelja kur buxheti mund të preket vetëm me ligj?”, u shpreh Malaj.
Ministri theksoi se qeveria nuk ka kundërshtuar parimin e trajtimit dinjitoz të magjistratëve, por sipas tij, përcaktimi i niveleve të pagave duhet të bëhet përmes ligjit.
“Është Kuvendi ai që duhet ta bëjë një projektligj ligj dhe të përcaktojë nivelet e pagave. Pastaj ligji ekzekutohet nga institucionet, Ministria e Financave dhe më pas Thesari”, tha Malaj.
Në fund, ministri nënvizoi se reforma në drejtësi ka qenë një prioritet i qeverisë, duke theksuar se mbështetja për sistemin do të vijojë, por brenda kuadrit ligjor.
“Sistemi i drejtësisë ka qenë një prioritet absolut i qeverisë Rama dhe mbetet një vullnet i plotë i kësaj mazhorance për mbështetjen pa kushte të suksesit të tij, por pa shkelur ligjin. Askush nuk mund të marrë sot vendime për paratë e qytetarëve përmes presionit apo duke anashkaluar ligjin. Ligji duhet respektuar dhe institucionet duhet të respektojnë njëri-tjetrin. Paratë publike duhen përdorur me transparencë, përgjegjësi dhe në interes të të gjithë qytetarëve”, përfundoi ministri.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.