Papa Leo XIV pret drejtorët e muzeve më të mëdhenj të botës: muzetë janë vende kujtese, bukurie dhe historie
Në Sallën Klementine të Vatikanit, Papa priti Grupin Bizot, rrjetin e drejtorëve të muzeve më prestigjiozë të botës, dhe foli për materien si dhuratë, për artin si kujtesë mes brezash dhe për rolin e muzeve në ruajtjen e trashëgimisë që i përket gjithë njerëzimit.
Papa Leo XIV priti të shtunën, më 10 tetor, në Sallën Klementine të Vatikanit drejtorët e disa prej muzeve më të rëndësishëm të botës, të mbledhur në Grupin Bizot, siç njofton The Art Newspaper. Grupi, emri zyrtar i të cilit është Grupi Ndërkombëtar i Organizatorëve të Ekspozitave të Mëdha, është themeluar në vitin 1992, mblidhet periodikisht për çështje të politikave institucionale dhe drejtohet aktualisht nga drejtori i Rijksmuseum-it të Amsterdamit, Taco Dibbits.
Tema e takimit këtë herë ishte “Materialiteti”. Sipas fjalës së publikuar nga Vatikani, Papa u tha drejtorëve se çdo muze është një vend kujtese, bukurie dhe historie, që nxit takime mes brezash dhe promovon kulturën e krijimtarinë njerëzore. Materia, tha ai, është një dhuratë e besuar në kujdesin e njeriut: artisti e shndërron atë që ka në dorë dhe e kthen në dhuratë për të tjerët, duke nxjerrë në pah bukurinë e krijimit.
Në reflektimin e tij, Papa nënvizoi edhe se veprat e ruajtura në muze dëshmojnë një histori që i flet çdo njeriu, nga një brez te tjetri, dhe se objektet muzeale i ofrojnë së tashmes urtësinë e së kaluarës. Për Kishën, shtoi ai, arti nuk është esteticizëm i thjeshtë, por një mënyrë për të shpallur Ungjillin përmes bukurisë. Në fund, ai i përgëzoi drejtorët për punën në ruajtjen e një trashëgimie që i përket gjithë njerëzimit.
Mes të pranishmëve ishin drejtori i Muzeut Victoria and Albert të Londrës, Tristram Hunt, dhe drejtori i Muzeut Metropolitan të Artit në Nju Jork, Max Hollein, të cilët e mirëpritën mesazhin në rrjetet sociale. Hunt e veçoi idenë se arti duhet parë më pak si kuadër estetik dhe më shumë si mjet kumtimi përmes bukurisë, ndërsa Hollein theksoi rëndësinë që Papa u dha artit, muzeve dhe kujtesës.
Takimi vjen pak ditë pas fjalës së 2 tetorit, kur Papa u tha një grupi artistësh dhe kuratorësh se në epokën e inteligjencës artificiale duhet dalluar arti njerëzor nga ai i prodhuar nga makinat. Sipas The Art Newspaper, audenca me Grupin Bizot e riafirmon angazhimin e Vatikanit për artin dhe kulturën, në një kohë kur Selia e Shenjtë po forcon aleancën e saj me artistët dhe institucionet kulturore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.