Papas: Ndihma e FMN-së e padëshirueshme
Vazhdimi i ndihmës nga ana e FMN-së për Greqinë, së bashku me Bashkimin Evropian dhe Bankën Qendrore Evropiane, është i padëshirueshëm, deklaroi sot ministri grek i Shtetit, Nikos Papas, njëkohësisht edhe një prej negociatorëve të vendit ballkanik me kreditorët ndërkombëtarë.
“Jam mes atyre që besojnë se FMN-ja nuk duhet të jetë në Evropë. Shpresoj se ne do të gjejmë një zgjidhje pa pjesëmarrjen e saj”, tha Papas, një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të kryeministrit Aleksis Cipras, për gazetën ”Ethnos”.
”Evropa nuk ka nevojë për institucionin e Uashingtonit, që ka një axhendë të njëanshme joevropiane. Evropa mund të ecë përpara edhe pa FMN-në dhe paratë e saj”, theksoi Papas.
Në fund të vitit 2009, FMN-së iu kërkua t’i bashkohej institucioneve evropiane për një skemë ndihme për Greqinë, për shkak të borxhit të saj të madh.
Programi i ndihmës prej 240 miliardë eurosh për Greqinë do të realizohet në shkëmbim të masave drastike dhe reformave nga ana e qeverisë së vendit ballkanik.