Paqartësi në Ligjin për Dhunën në Familje, kërkohen përmirësime
Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut diskutoi mangësitë e ligjit: mungesë koordinimi institucional, paqartësi në përkufizime dhe fond i pamjaftueshëm për kompensimin e viktimave të krimit
Komisioni i Kuvendit të Kosovës për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione ka diskutuar mangësitë e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore, siç njofton RTK. Mungesa e koordinimit institucional dhe e mekanizmave të llogaridhënies u vlerësua se e bën ligjin të vështirë për t’u zbatuar në praktikë, ndërsa u kërkua harmonizimi i tij me ligjet e tjera, përfshirë ato për kompensimin e viktimave të krimit dhe për ndihmën juridike.
Kryetarja e komisionit, Njomëza Emini, tha se komisioni do të jetë në komunikim me të gjitha institucionet që merren me parandalimin e dhunës, jo vetëm të dhunës në familje, por edhe të asaj ndaj vajzave dhe grave, dhe se do të bashkëpunohet me organizatat e shoqërisë civile për të parë se ku duhet mbështetje, përfshirë edhe projekt-Kodin Civil.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi, dhe deputetja e LDK-së, Mirlinda Sadiku Krasniqi, theksuan se paqartësi ka edhe mes vetë anëtarëve të komisionit, se nuk duhet të ketë amnisti për autorët e dhunës dhe se autorët duhet të mbahen larg viktimave, duke kujtuar se ndër vite viktima të femicidit janë vrarë nga autorë që kishin qenë të dhunshëm edhe më parë. Ato kërkuan që komisioni ta trajtojë edhe Ligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, pasi sipas tyre shumë qytetarë ankohen se fondi për këtë qëllim është i pamjaftueshëm.
Profesoresha e Universitetit të Prishtinës, Eliza Hoxha, tha se tema është delikate dhe duhet trajtuar me kujdes nga të gjitha aspektet. Aspekti ndëshkues, sipas saj, ka shumë mangësi dhe shumë pak raste janë procesuar, ndërsa në parandalimin e dhunës duhet përfshirë edhe roli i burrave.
Donjeta Rexhahmetaj, zyrtare monitoruese në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, prezantoi mekanizmat e mbrojtjes ligjore dhe rezultatet e monitorimit, duke rekomanduar shtimin e përkufizimeve të formave të dhunës, harmonizimin e ligjeve dhe përcaktimin më të qartë të përgjegjësive institucionale. Qëndrime në diskutim paraqitën edhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Universitetit të Prishtinës, UN Women, Policisë së Kosovës dhe organizatave të tjera.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.