“Paradise Papers”: Hetimi tronditës, ku i fsheh paratë elita botërore
Bizneset më të mëdha në botë, krerët e shteteve dhe figurat globale të politikës, argëtimit dhe sportit, të cilët e kanë fshehur pasurinë e tyre në streha sekrete fiskale nëpër botë, po denoncohen këtë javë në kuadër të një hetimi të ri të madh.
Detajet vijnë nga një rrjedhje e 13 milionë e 400 mijë dokumentesh, të cilat ekspozojnë mjediset globale, në të cilat kryhen lehtësisht mashtrimet me taksa – si dhe mënyrat komplekse dhe në dukje artificiale që korporatat më të pasura në planet përdorin për të mbrojtur ligjërisht pasurinë e tyre, raporton The Guardian.
Materiali, i cili vjen nga dy ofrues shërbimesh në vende të largëta, dhe nga regjistra kompanish të 19 strehëve fiskale, është siguruar nga gazeta gjermane Sueddeutsche Zeitung, dhe është shpërndarë nga Asociacioni Ndërkombëtar i Gazetarëve Hetues, me partnerë që përfshijnë The Guardian, BBC dhe The New York Times.
Projekti është quajtur “Paradise Papers”, apo në shqip “Dokumentet nga parajsa”.
Ndër të tjera, ai zbulon:
– Se si miliona funte nga pasuria private e Mbretëreshës britanike janë investuar në një fond në Ishujt Kajman – dhe se si disa prej parave të saj janë derdhur në llogarinë e një biznesi që akuzohet për keqpërdorimin e familjeve të varfra dhe njerëzve me të meta.
– Marrëveshje të shumta me firma të largëta nga anëtarët e kabinetit, këshilltarët dhe donatorët e presidentit amerikan, Donald Trump, përfshirë pagesa të majme nga një firmë në bashkëpronësi të dhëndrit të presidentit rus, Vladimir Putin, për një firmë transportuese të sekretarit amerikan të Tregtisë, Wilbur Ross.
– Se si Twitter dhe Facebook kanë marrë qindra miliona dollarë në formë të investimeve, që prejardhja i gjurmohet deri tek institucionet shtetërore financiare ruse.
– Një fond në Ishujt Kajman që i shmanget tatimit, dhe që menaxhohet nga kryearkëtari i kryeministrit kanadez, Justin Trudeau.
– Një fond më parë i panjohur jashtë vendit, me vlerë prej 450 milionë dollarësh, që ka fshehur pasurinë e lordit Ashcroft, biznesmen dhe politikan i njohur britanik.
– Shmangie agresive të taksave nga korporatat ndërkombëtare, përfshirë Nike dhe Apple.
– Se si disa prej emrave më të mëdhenj në industrinë e filmit dhe të televizionit i fshehin pasuritë e tyre, nëpërmjet një varg skemash jashtë vendit.
– Kredinë dhe aleancën e fshehtë, të përdorur nga kompania ndërkombëtare Glencore, me seli në Londër, në përpjekje për të siguruar të drejta fitimprurëse të mihjes në Republikën Demokratike të Kongos.
– Rrjetet komplekse jashtë vendit, të përdorura nga dy miliarderë rusë, për të blerë aksione në klubet e futbollit Arsenal dhe Everton.
Këto zbulime do të shtojnë trysninë ndaj udhëheqësve të botës, përfshirë Trumpin, dhe kryeministren britanike, Theresa May, të cilët janë zotuar se do t’i luftojnë mashtruesit me taksa.
Publikimi i këtij hetimi, për të cilin kanë punuar më shumë se 380 gazetarë për një vit, duke hulumtuar të dhëna deri në 70 vjet të vjetra, vjen në një kohë të rritjes së pabarazisë ekonomike në botë.