Parlamenti i Egjiptit shtyn votimin për mbështetjen ushtarake për Arabinë Saudite, diskutimet vazhdojnë të hënën
Parlamenti i Egjiptit e shtyu votimin për kërkesën e presidentit Abdel Fattah al-Sisi për autorizimin e ushtrisë që të ndihmojë në mbrojtjen e Arabisë Saudite, duke i zgjatur diskutimet deri të hënën, siç njofton Reuters. Votimi ishte parashikuar të mbahej të dielën, në seancën urgjente të thirrur nga Sisi, por dy deputetë dhe raportime të mediave lokale thanë se debati do të vazhdojë edhe një ditë.
Deputeti Ibrahim Kholeif tha se seanca u zgjat për t’u dhënë mundësi të gjithë deputetëve të flasin dhe të shprehin pikëpamjet e tyre, duke shtuar se parlamentarët në shumicë e mbështesin masën, siç raporton News Central TV, duke cituar gazetën Asharq Al-Awsat.
Kërkesa e Sisi-t vjen pas sulmeve pothuajse të përditshme të Huthi-ve të mbështetur nga Irani ndaj Arabisë Saudite. Para seancës, Këshilli i Mbrojtjes Kombëtare, i kryesuar nga presidenti, miratoi dhënien e “të gjitha formave të nevojshme dhe të disponueshme të mbështetjes” për mbrojtjen e territorit saudit dhe të vendeve të shenjta islame, ndërsa vetë Sisi ka theksuar se bëhet fjalë vetëm për mbrojtje. Sipas Kushtetutës egjiptiane, dërgimi i trupave në misione luftarake jashtë vendit kërkon miratimin e dy të tretave të parlamentit.
Nga ana e tyre, Huthi-t e kanë paralajmëruar Kajron kundër çdo ndërhyrjeje: kryetari i parlamentit të grupit, Yehia Ali al-Rai, tha se rrëshqitja e Egjiptit në këtë rrugë do të përbënte rrezik serioz për sigurinë kombëtare dhe stabilitetin e brendshëm të vendit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.