Pas afro 14 debate, Kuvendi miraton në parim buxhetin 2027
Pas një seance maratonë prej afro 14 orësh, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në parim Projektligjin “Për buxhetin e vitit 2027”, me 80 vota pro dhe 25 kundër. Projektbuxheti do të rikthehet tashmë në komisionet parlamentare, ku do të shqyrtohet nen për nen. Seanca plenare, e drejtuar nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u shoqërua me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës, e cila votoi kundër projektbuxhetit dhe projektligjeve të tjera financiare të rendit të ditës.
Gjatë diskutimeve, opozita e cilësoi buxhetin e vitit 2027 si një buxhet elektoral. Përfaqësuesit e saj argumentuan se shpërndarja e fondeve publike dhe rritja e barrës fiskale rrezikojnë të rëndojnë qytetarët dhe ekonominë e vendit.
Nga ana tjetër, mazhoranca e mbrojti projektbuxhetin, duke e konsideruar historik, pasi për herë të parë shpenzimet buxhetore arrijnë kufirin prej 10 miliardë eurosh.
Sipas qeverisë, rëndësia e këtij buxheti nuk qëndron vetëm te vlera financiare, por edhe te politikat e parashikuara për vitin e ardhshëm, me fokus lehtësimin e barrës fiskale për shtresën e mesme, mbështetjen e pensionistëve dhe kategorive në nevojë.
Projektbuxheti i vitit 2027 u prezantua në Kuvend nga kryeministri Edi Rama, i cili paraqiti prioritetet dhe pikat kryesore të planit financiar, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm për financat publike.
Përveç buxhetit, gjatë seancës parlamentare u shqyrtuan edhe projektligjet financiare që lidhen drejtpërdrejt me të, ndryshimet në ligjin “Për strehimin social”, si dhe një projektvendim.
Në nisje të punimeve, Kuvendi miratoi gjithashtu projektprogramin dhe projektkalendarin e punimeve parlamentare, përkatësisht me 80 vota pro, 18 kundër dhe asnjë abstenim.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.