☀️
Tiranë 19°C · Kthjellët 05 September 2026
S&P 500 7,719 ▼0.38%
DOW 53,414 ▼0.51%
NASDAQ 26,507 ▼0.29%
NAFTA 91.22 ▼0.09%
ARI 4,477 ▼1.38%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1613 EUR/GBP 0.8592 EUR/CHF 0.9406 EUR/ALL 92.1660 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3410 EUR/TRY 56.2380 EUR/JPY 181.41 EUR/CAD 1.6064 EUR/USD 1.1613 EUR/GBP 0.8592 EUR/CHF 0.9406 EUR/ALL 92.1660 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3410 EUR/TRY 56.2380 EUR/JPY 181.41 EUR/CAD 1.6064
₿ CRYPTO
BTC $79,623 ▼ -1.62% ETH $2,455 ▼ -2.09% XRP $1.4003 ▼ -3.27% SOL $101.9900 ▼ -1.79%
S&P 500 7,719 ▼0.38 % DOW 53,414 ▼0.51 % NASDAQ 26,507 ▼0.29 % NAFTA 91.22 ▼0.09 % ARI 4,477 ▼1.38 % S&P 500 7,719 ▼0.38 % DOW 53,414 ▼0.51 % NASDAQ 26,507 ▼0.29 % NAFTA 91.22 ▼0.09 % ARI 4,477 ▼1.38 %
EUR/USD 1.1613 EUR/GBP 0.8592 EUR/CHF 0.9406 EUR/ALL 92.1660 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3410 EUR/TRY 56.2380 EUR/JPY 181.41 EUR/CAD 1.6064 EUR/USD 1.1613 EUR/GBP 0.8592 EUR/CHF 0.9406 EUR/ALL 92.1660 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3410 EUR/TRY 56.2380 EUR/JPY 181.41 EUR/CAD 1.6064
05 Sep 2026
Breaking
Opinion

Pasqyrë, moj pasqyrë

Përrallë

Nga THOMA GËLLÇI

Na ishte njëherë një mbret që kishte një pasqyrë të madhe dhe të bukur. Pasqyra nuk ishte magjike. Nuk parashikonte të ardhmen, nuk zbukuronte fytyrat dhe nuk shpikte gjëra. Ajo kishte vetëm një cilësi: tregonte gjithmonë të vërtetën për atë që kishte përpara.

Mbreti e mbante në pallat dhe ishte shumë i kënaqur me të. Pasqyra shihte dhomat e mëdha, dyshemetë prej mermeri, llambadarët, mobiliet e shtrenjta, tryezat e mbushura dhe shërbëtorët me uniforma të pastra. Shihte garderobën e mbretit, mantelët e qëndisur, këpucët e lustruara dhe kurorat e vendosura me kujdes. Shihte lulet e freskëta nëpër salla dhe vazot që ndërroheshin çdo mëngjes.

Kur e nxirrnin në oborr, pasqyra shihte lulishtet e pallatit. Bari ishte gjithmonë i prerë, pemët të krasitura, trëndafilat të ujitur dhe shatërvanët punonin pa pushim. Në pronat e mbretit shihte ara të punuara, vreshta të mbajtura mirë, pyje të ruajtura, stalla të pastra dhe kanale ku uji rridhte pa ndërprerje.

Mbreti ndalej shpesh përpara saj.

— Pasqyrë, moj pasqyrë! Sa e bukur është mbretëria ime?

Pasqyra i tregonte atë që shihte dhe mbreti kënaqej. Gjithçka përreth tij ishte me të vërtetë e bukur.

Me kalimin e viteve, ai u bind se jo vetëm pallati, por e gjithë mbretëria ishte ashtu. Prandaj i dukej e pakuptueshme që populli vazhdonte të ankohej. Sipas tij, njerëzit nuk dinin ta shihnin sa mirë jetonin.

Atëherë urdhëroi që pasqyra të nxirrej nga pallati dhe të çohej nëpër qytete e fshatra. Mendonte se, sapo ta shihnin, njerëzit do të kuptonin sa e bukur ishte mbretëria e tyre.

Pasqyra u vendos mbi një karrocë dhe doli nga porta e pallatit.

Rruga e parë që pa ishte plot gropa. Në një fshat pa njerëz që prisnin me bidona pranë një çezme të thatë. Më tej pa pyje që digjeshin, ndërsa banorët përpiqeshin të shuanin flakët me lopata dhe kova.

Nëpër qytete pa dyqane që mbylleshin, taksa që rëndonin mbi tregtarët, të rinj pa punë dhe familje që mezi përballonin çmimet. Pa sundimtarë lokalë që e përdornin pushtetin si pronë të tyre, njerëz që prisnin me vite për një të drejtë dhe të tjerë që e merrnin atë brenda një dite falë njohjeve.

Kur e çuan nëpër spitale, pa mure të lagura, pajisje të vjetra, korridore të mbushura dhe mungesë ilaçesh. Nëpër shkolla pa ndërtesa të dëmtuara, ndërsa në fshatra të tjerë pa toka të lëna djerrë dhe familje që mendonin vetëm si të largoheshin.

Pasqyra vazhdonte të bënte atë që kishte bërë gjithmonë: tregonte atë që shihte.

Lajmet për ato që po tregonte mbërritën shpejt në pallat. Mbreti u zemërua dhe vendosi që pasqyra të thyhej. I dukej e pabesueshme që e njëjta pasqyrë, e cila për vite i kishte treguar një mbretëri të bukur e të begatë, tani po tregonte rrugë të prishura, varfëri, padrejtësi dhe spitale të rrënuara.

Por njëri prej këshilltarëve e paralajmëroi se thyerja e pasqyrës mund të keqkuptohej nga populli. Njerëzit mund të mendonin se mbreti nuk donte të shihte të vërtetën.

Pas shumë këshillimesh u gjet një zgjidhje më e zgjuar.

Pasqyra u kthye në pallat dhe nuk u nxor më prej andej.

Në vend të saj, filluan të sillnin njerëzit nga qytetet dhe fshatrat brenda pallatit. I çonin përpara pasqyrës, të cilën e pyesnin:

— Pasqyrë, moj pasqyrë, si është mbretëria jonë? Si rron populli? A kanë ushqim të bollshëm dhe rroba për të veshur?

Pasqyra thoshte atë që shikonte në pallat:

— Mbretëria ishte më e bukura! Rrugët ishin të shtruara! Pyjet të gjelbëruara! Liqenet me ujë! Njerëzit të lumtur!

Dhe mbreti ishte i kënaqur.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.