Pasuria e arkitekturës shqiptare në Pazarin e Korçës
-Zv.Kryeministri Peleshi dhe Presidenti i Fondit të Zhvillimit inspektojnë punimet e Pazarit të Korçës-
Zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe Presidenti i Fondit të Zhvillimit, Michael Granoff, inspektuan punimet në pazarin e Korçës, një projekt i cili ka në bazë rikonstruksionin e pazarit duke ruajtur vlerat kulturore të tij.
Zv/kryeministri Peleshi, vlerësoi punën e kryer për rikontruksionin e pazarit ndërsa e konsideroi projektin një pasuri e arkitekturës shqiptare .
“Një premtim të mbajtur të qeverisë shqiptare që nga projektet e para që financoi nga qytetet shqiptare ishte rikonstruksioni dhe restaurimi i pazarit të vjetër të Korcës. Unë jam shumë i lumtur për ketë sepse siç e thashë kjo nuk është një pasuri vetëm e qytetit, është një pasuri e arkitekturës shqiptare”, theksoi Peleshi . Vitaliteti i këtij pazari, vijoi Peleshi, është i garantuar. Tani na duhet ta hijeshojmë atë, të nxjerrim në pah mozaikun arkitekturor të rreth 140 objekteve në këtë pazar”, tha Peleshi.
Presidenti i Fondit të Zhvillimit, Michael Granoff, u shpreh në fjalën e tij se “ky është një ndër projektet më ambiciozë në Korcë dhe sigurisht nuk do të jetë i fundit”.
Në një ceremoni të veçantë në ambjentet e Mësonjetores së Parë Shqipe, kryebashkiaku, Sotiraq Filo, i dorëzoi presidentit të fondit të zhvillimit, Michael Granoff, titullin “Qytetar Nderi i Korçës”.
Restaurimi i Pazarit të Vjetër, i përbërë nga godina karakteristike, dikur dyqane e bujtina nisi në fund të vitit të kalaur. Pazari i Vjetër i Korçës u krijua mbi 500 vjet më parë. Dikur pazari karakteristik, sot jashtë funksionit, ka qenë qendra e Korçës, zona më e zhvilluar.
Pikërisht rigjallërimi i tij do të jetë në qendër të projektit të bashkëfinancuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe ai Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim me vlerë 4 milionë dollarë, i cili do restaurojë fasadat dhe çatitë.
Rikonstruksioni i pazarit synon rivitalizimin e kësaj zone të Korçës, për ta rikthyer këtë pazar në zonën kyçe ekonomike të qytetit, Veç kësaj do të ketë edhe shërbime të reja për turistët si hoteleri, bare restorante.
Në këtë pazar numërohen rreth 138 godina, monumente kulture të kategorisë së parë, dyqane e bujtina.