☁️
Tiranë 13°C · Vranët 28 Nëntor 2026
S&P 500 7,297 ▲1.6%
DOW 50,775 ▲1.18%
NASDAQ 24,130 ▲2.31%
NAFTA 83.08 ▼0.72%
ARI 3,669 ▲2.91%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.0946 EUR/GBP 0.8355 EUR/CHF 0.9148 EUR/ALL 89.8629 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6227 EUR/TRY 55.6085 EUR/JPY 174.60 EUR/CAD 1.5594 EUR/USD 1.0946 EUR/GBP 0.8355 EUR/CHF 0.9148 EUR/ALL 89.8629 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6227 EUR/TRY 55.6085 EUR/JPY 174.60 EUR/CAD 1.5594
₿ CRYPTO
BTC $59,256 ▼ -3.73% ETH $1,648 ▼ -4.26% XRP $0.9397 ▼ -3.69% SOL $70.9400 ▼ -2.88%
S&P 500 7,297 ▲1.6 % DOW 50,775 ▲1.18 % NASDAQ 24,130 ▲2.31 % NAFTA 83.08 ▼0.72 % ARI 3,669 ▲2.91 % S&P 500 7,297 ▲1.6 % DOW 50,775 ▲1.18 % NASDAQ 24,130 ▲2.31 % NAFTA 83.08 ▼0.72 % ARI 3,669 ▲2.91 %
EUR/USD 1.0946 EUR/GBP 0.8355 EUR/CHF 0.9148 EUR/ALL 89.8629 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6227 EUR/TRY 55.6085 EUR/JPY 174.60 EUR/CAD 1.5594 EUR/USD 1.0946 EUR/GBP 0.8355 EUR/CHF 0.9148 EUR/ALL 89.8629 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.6227 EUR/TRY 55.6085 EUR/JPY 174.60 EUR/CAD 1.5594
28 Nën 2026
Breaking
Opinion

Patriot ai që feston apo ai që proteston?

Nga LUTFI DERVISHI

Sapo fotografova makinat ujëhedhëse pranë godinës së Kryeministrisë, njëri prej policëve, me gjasë drejtues i njërit prej mjeteve – më drejtohet:
“Bukur, ëë?”
“Nuk më duket shumë bukur”, i them.
“Po pse, ne nuk kemi të drejtë të festojmë?”
“Sigurisht që keni, por puna që bëni…”
Makinat e zeza ujëhedhëse ishin zbukuruar me flamuj kuqezi në pjesën e përparme dhe anash.
Pak metra më tej, një grup turistësh italianë, disa policë me veshje civile që diskutonin se kur do të mbërrinin protestuesit nga sheshi “Skënderbej” dhe një i moshuar që hakërrehej:
“Po këta çfarë duan?”
E kishte fjalën për një makinë me targa të huaja, të mbuluar me flamuj kombëtarë.
Pyetja e të moshuarit më shoqëroi përgjatë bulevardit. Vërtet, çfarë duan këta?

Ky 28 Nëntor ndryshon nga ata që jemi mësuar të përjetojmë. Është edhe festë, edhe protestë. Madje, një pjesë e shqiptarëve të diasporës kanë marrë rrugën për në Shqipëri pikërisht për të protestuar.
Çfarë ka ndodhur që, 114 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, qytetarët dalin në shesh për të festuar dhe për të protestuar? Çfarë ka ndodhur që shqiptarët e diasporës të cilët zakonisht kthehen në atdhe për festa, dasma, apo pushime, këtë herë kanë prerë biletat për një protestë?

Në pamje të parë, festa dhe protesta duket sikur përjashtojnë njëra-tjetrën. Në thelb, të dyja mund të burojnë nga e njëjta ndjenjë: dashuria për vendin.
Një shprehje që përdoret shpesh në diskutimet për qytetin thotë se qytetin nuk na e kanë lënë trashëgim prindërit, por ua kemi marrë hua fëmijëve. E njëjta gjë vlen edhe për vendin.
Festa është mirënjohje për Shqipërinë që trashëguam, protesta është shqetësim për Shqipërinë që do të trashëgojnë fëmijët tanë.
Më 28 nëntor 1912, shqiptarët kërkonin të kishin shtetin e tyre. Sot, një pjesë e shqiptarëve kërkojnë që shteti i tyre të funksionojë për ta.
Zgjedhja e Ditës së Pavarësisë për të protestuar i jep protestës një dimension tjetër. Ajo na fton të mendojmë për marrëdhënien mes pavarësisë së shtetit dhe lirisë së qytetarit: Sa i lirë është qytetari në një shtet të pavarur? Sa ndikim ka mbi vendimet që përcaktojnë jetën e tij?Sa mundësi ka të ndërrojë qeverisjen kur humbet besimin tek ajo? Sa i sigurt është se ligji e mbron njëlloj si njeriun me pushtet?

Është shumë domethënës kthimi i diasporës. Për dekada, emigracioni ka qenë edhe një formë e heshtur proteste: ata që nuk shihnin mundësi për të ndryshuar vendin, ndërronin vendin ku jetonin. Sot, një pjesë e atyre që ndërruan vendin ku jetojnë, kthehen për të kërkuar ndryshimin e vendit nga i cili u larguan.
Jemi mësuar të marrim nga emigrantët para, investime dhe, së fundmi, vota. Këtë herë, një pjesë e diasporës po vjen edhe me kërkesa politike.
Emigranti mund ta ketë zgjidhur hallin e vet ekonomik, mund të ketë një shtëpi në Gjermani, një biznes në Itali, një karrierë në Angli dhe mund të mos ketë nevojë për asgjë nga shteti shqiptar. Megjithatë, vazhdon të shqetësohet për atë që ndodh në Shqipëri. Kjo, në njëfarë mënyre, është një mrekulli: i kemi humbur r si banorë, por jo si qytetarë.
Kthimi për të protestuar është një lloj protestë ndaj emigrimit. Dikur largoheshe për një të ardhme më të mirë për veten; sot kthehesh për të kërkuar një të ardhme tjetër për vendin tënd.
Ky 28 Nëntor na fton të rimendojmë edhe kuptimin e patriotizmit. A matet dashuria për vendin me numrin e flamujve që valëvitim, apo edhe me përgjegjësinë që ndiejmë për të?

Më 28 nëntor 1912 shpallëm se vendi na përket ne, 114 vite më pas po diskutojmë se kujt i përket shteti.

***
I hedh edhe një sy fotografisë që bëra pranë Kryeministrisë. Këtë 28 Nëntor, flamurin kuqezi e mbajnë në duar protestuesit, e ngrenë në shtizë qeveritarët dhe e kanë vendosur mbi makinat ujëhedhëse policët.
Më kujtohet pyetja e policit: “Po pse, ne nuk kemi të drejtë të festojmë?”
Sigurisht që po. Uroj vetëm që sonte, ata që kanë dalë për të protestuar dhe ata që janë paguar për të ruajtur rendin, ta kujtojnë se kanë të njëjtin flamur dhe do të ishte bukur që makinat ujëhedhëse, të paktën sot, të shërbenin vetëm si dekor festiv.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.