Si duhet të jetë Kryebashkiaku i Tiranës 2030?!
28 Nëntori\ Kryebashkiaku i Tiranës 2030 dhe një Pakt-Zgjidhje për Shqipërinë: Nga “Flamingot” dhe Zjarret në Bulevard, te Vullneti Kombëtar për Rithemelimin e Shtetit
(Një përgjigje miqësore për Ben Andonin dhe disa opinionistë të tjerë, shumë të nderuar prej meje)
Nga Inxh. Shkëlqim Skënderi

| Thirrje në prag të 28 Nëntorit
Ky shkrim u drejtohet sot, me frymë paqësore e gjithëpërfshirëse, edhe çdo qytetari që nesër, më 28 Nëntor, Ditën e Flamurit dhe të Themelimit të Shtetit, zgjedh të dalë në bulevard. Protesta qytetare dhe pakënaqësia e ndershme janë të drejta të shenjta në një shoqëri të lirë; por në këtë ditë të madhe kombëtare, edhe një xham i vetëm i thyer, edhe një gur i hedhur mbi hapësirën tonë të përbashkët, është akt i rëndë dhe i pafalshëm, sepse shkatërrimi i shtëpisë sonë u shërben dhe u sjell gëzim vetëm armiqve të vërtetë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Kushdo që nesër ngre dorë me dhunë mbi kryeqytetin dhe pronën publike, qoftë qytetar i Shqipërisë, i Kosovës, i Maqedonisë së Veriut apo i diasporës, nuk duhet të marrë as aureolën e rreme të burgut e as rolin e viktimës politike; ai ose ajo duhet të gjykohet qartë e publikisht dhe të shpallet “i padëshiruar i përjetshëm nga Shqipëria dhe populli shqiptar” (persona non grata) në jetën publike e qytetare të vendit. |
Kryetar Bashkie në Tiranë mund dhe duhet të jetë cilido që ka vizionin e qartë për një Tiranë si kryeqytet evropian, në çdo kuptim të kësaj fjale. Debati i ditëve të fundit në shtypin tonë mbi profilin e drejtuesit të ardhshëm të kryeqytetit, i ngritur me të drejtë edhe nga publicisti Ben Andoni në kërkim të një “kryebashkiaku inxhinier të paparti”, prek një plagë reale, por kërkon një saktësim thelbësor. Një kryetar bashkie nuk ka nevojë dhe as mundet të jetë njëkohësisht arkitekt, inxhinier ndërtimi, inxhinier mekanik dhe hidroteknik; ajo që i duhet me çdo kusht është vizioni i qartë se si duhet të duket e të funksionojë Tirana e vitit 2030, si dhe aftësia e ndershmëria për të thirrur, dëgjuar e fuqizuar profesionistët e vërtetë të çdo fushe.
Kjo është edhe drama më e thellë e debatit publik shqiptar sot. Nëse lexon me vëmendje shtypin e përditshëm, nga analizat shqetësuese mbi “qorrsokakun e elitës”, korrupsionin si kulturë heshtjeje dhe mungesën e llogaridhënies, te paralajmërimet për rrezikun e anarkisë e të vakumit institucional, e deri te thirrjet e forta kundër përqendrimit absolut të pushtetit e kapjes oligarkike, të gjithë diagnostikojnë të njëjtin pacient, por rrallëkush guxon të shkruajë recetën. Njëra palë mbron stabilitetin nga frika e kaosit, pala tjetër kërkon shembjen e sistemit pa treguar çfarë do të ngrihet të nesërmen, ndërsa shumica e profesionistëve mbyllen në dorëzim cinik.
Ky shkrim është një përpjekje e sinqertë dhe pa ngarkesë partiake për të kaluar nga faza e pafundme e konstatimeve drejt një zgjidhjeje shumëdimensionale, e frymëzuar nga tri shtylla të thjeshta të urtësisë popullore: trimi i vërtetë di të luftojë, por mbi të gjitha di të falë; komandanti i mirë nuk është ai që pandeh se i di të gjitha, por ai që ka mençurinë të zgjedhë e të zbatojë këshillën më të mirë; dhe mbi gjithçka, mbi çdo inat të së shkuarës, mbi çdo karrige të së tashmes e mbi çdo interes të së nesërmes, është dhe qëndron vetëm Shqipëria dhe populli shqiptar.
Nga “Flamingot” tek Iluzioni i Revolucioneve, dhe pse nuk mjafton të ndërrosh shoferin e trenit
Absurdi i pretendimeve gjeografike në rajonin tonë shpesh barazohet vetëm me absurdin e iluzioneve tona politike. Të besosh sot se një protestë në bulevard mund të përmbysë një realitet të ngulitur prej tri dekadash e gjysmë, thjesht duke ndërruar emrat e drejtuesve pa prekur mekanizmat e sistemit, është njëlloj si të besosh se lagjja historike “Plaka” në Athinë është tokë shqiptare apo se Himara, Narta e Zvërneci janë Greqi.
Përpara se të kërkojmë ndryshimin, duhet të kemi kurajën intelektuale të pranojmë se çfarë kemi ndërtuar. Ajo që ne e quajmë me entuziazëm “demokraci”, në funksionimin e saj të përditshëm shpesh vepron si një diktaturë e ligjeve të financuara nga një pakicë e ngushtë ekonomike. Qytetari është i lirë të votojë çdo katër vjet, por kur rregullat e tregut, asetet strategjike dhe buxheti mbahen peng nga një rreth i mbyllur interesash, vota rrezikon të kthehet thjesht në vulosje të radhës. Të kërkosh largimin e një qeverie pa çmontuar këtë mekanizëm është njëlloj si të ndërrosh shoferin e një treni që vazhdon të ecë mbi të njëjtat shina drejt së njëjtës greminë.
Por këtu po shfaqet një rrezik: zërat ekstremistë që po kërkojnë të vendosin një sistem të ri (të paprovuar e, më keq, të papërkufizuar fare, sepse disa nuk e dinë çfarë kërkojnë, ndërsa të tjerë veprojnë për qëllime të errëta). Ajo që dihet universalisht është se sipas ligjeve të ndryshimit të natyrshëm, çdo organizëm, biologjik apo shoqëror, ose transformohet me mençuri për t’iu përshtatur kohës, dhe kushteve në ndryshim të vazhdueshëm, ose venitet (edhe vdes). E themi këtë që të gjithë ne, shqiptarët sot, të kuptojmë se historia është e pamëshirshme me ndryshimet e dhunshme: Revolucioni Anglez preu kokën e mbretit për të pjellë autokracinë e Cromwell-it; Revolucioni Francez përfundoi në gijotinën e Robespierit dhe te perandoria e Napoleonit; revolucioni bolshevik degradoi në diktaturën e Stalinit. E vetmja lëvizje që nuk i gllabëroi fëmijët e saj ishte ajo Amerikane, sepse themeluesit e saj nuk u mjaftuan me asgjësimin e kundërshtarit, por hodhën në Kushtetutë mekanizma kontrollues dhe vetëkorrigjues të sistemit (kushtetues) që ata themeluan.
Në të njëjtën logjikë, Shqipëria nuk ka nevojë as për “kompleksin e Majakovskit”, atë iluzion se mjafton të shpiket një (ajo “fjalë e madhërishme” e poetit) parti e re për të zgjidhur gjithçka, kur përvoja tregon se logot e reja shpesh kthehen brenda natës në prona private kryetarësh. Rruga reale kalon përmes tri rregullave të reja kushtetuese që e korrigjojnë sistemin nga brenda: listat plotësisht të hapura me primare reale, ku deputeti del nga baza dhe jo nga lista e kryetarit; këputja me ligj e financimit të partive nga biznesi i madh; dhe përkthimi ekonomik i parullave të sheshit (protestave të fundit) në aksionarizëm qytetar.

Marrim dy kërkesat simbolike që ndezën lëvizjen e “Flamingove”, sloganin “Shqipëria e Shqiptarëve” dhe mbrojtjen e ekosistemit të Nartës e Zvërnecit:
▪ Përkthimi ekonomik i “Shqipërisë së Shqiptarëve”: Asetet gjigante strategjike dhe turistike (si Sazani, Zvërneci apo koncesionet e tjera bregdetare e malore, rrugore, etj.) nuk duhet të jepen si monopole ekskluzive as për miliarderë të huaj dhe as për një grusht oligarkësh vendas. Zhvillimi i tyre duhet të realizohet përmes bashkëpunimit mes shtetit dhe shoqërive aksionere popullore, me rregulla të hekurta mbikëqyrëse nga shteti dhe Banka e Shqipërisë, që pengojnë blerjen e fshehtë përmes kompanive guaskë dhe e bëjnë çdo familje shqiptare bashkëpronare reale të pasurisë kombëtare.
▪ Zgjidhja tekniko-ekonomike për Zvërnecin dhe flamingot: Mbrojtja e natyrës mbetet poezi boshe nëse nuk përballet me të vërtetën praktike të Gjirit të Vlorës, i cili është i komprometuar nga prania e Petroliferës, projektet e gazit dhe TEC-i i Vlorës (me rigazifikimin e LNG-së, nëse do të zbatohet). Zgjidhja konkrete nuk është një fjalim, por një aksion strategjik: largimi i Petroliferës, kalimi i TEC-it në pronësi aksionere qytetare dhe, me fondet e gjeneruara, çmontimi dhe zhvendosja e tij drejt bregut të lumit Seman, shumë më pranë linjës kryesore të gazsjellësit TAP, me eficiencë më të lartë teknike dhe duke e çliruar përfundimisht Zvërnecin nga presioni industrial.
Nga Protesta Paqësore te Zjarret në Bulevard: Anatomia e Krizës dhe Nevoja për Paqe të Thellë Sociale
Shkallëzimi i kohëve të fundit në rrugët e Tiranës, ku protesta nisi të përzihej rrezikshëm me vandalizëm, djegie dhe shkatërrim të hapësirës publike, është kambana më e fortë e alarmit. Kjo situatë nuk mund të lexohet as bardhë e zi dhe as me cinizëm. Në bulevard bashkëjetojnë dy realitete të kundërta që duhen ndarë me thikë:
Nga njëra anë qëndron dhimbja reale e qytetarëve, studentëve dhe shtresës së mesme, një lodhje e akumuluar nga 13 vite të të njëjtit model qeverisës, nga përqendrimi i tepruar i pushtetit ekzekutiv, nga kostoja e lartë e jetesës, mungesa e meritokracisë dhe ndjesia se administrata e drejtësia nuk funksionojnë njësoj për të gjithë. Nga ana tjetër qëndron vandalizmi oportunist dhe infiltrimi politik, ku mllefi i të rinjve përdoret si karburant për zjarrvënie e kaos. Shqipëria e ka provuar një herë koston tragjike të shkatërrimit në emër të ndryshimit në vitin 1991, kur u dogjën vreshta, stalla e pasuri madhore publike të ngritura me djersën e dekadave. Zjarri në rrugë nuk ndërton shtet; ai vetëm sa i jep alibi represionit ose e shtyn vendin drejt një vakumi të rrezikshëm pushteti.
Në këtë pikë bëhet e dukshme pse asnjëra nga dy ekstremet e debatit tonë publik nuk jep rrugëdalje: kriza nuk zgjidhet as me arrogancën e numrave në parlament e me masa kozmetike (apo me bojëra e ngjyra), as me represion policor, por as me thirrje për asgjësim penal të kundërshtarit politik. Parullat “ky në burg” apo “ai në burg” janë matematikisht dhe shoqërisht vetëvrasëse. Të shpallësh armiq 30% deri në 50% të votuesve, qofshin mbështetës të së majtës apo të së djathtës, do të thotë ta mbash kombin në një luftë të ftohtë të përhershme.
Një shtet ndërtohet nga “punëmbaruarit” dhe piqet atëherë kur di t’i mbyllë me dinjitet ciklet e veta historike. Ashtu siç historia njeh kontributet dhe hijet e periudhave të mëparshme shtetformuese, ne duhet të pranojmë se cikli i tranzicionit 35-vjeçar, me themeluesit e tij që shembën izolimin, hapën tregun e lirë dhe transformuan imazhin e vendit, e ka ezauruar plotësisht fuqinë e vet shtytëse. Që vendi të kalojë në një stad të ri evropian pa gjakderdhje, pa anarki dhe pa vakum drejtimi, nevojitet një Paqe e Thellë Sociale: një akt pajtimi kombëtar që mbyll llogaritë e të shkuarës dhe e detyron vetë sistemin aktual, përmes kapacitetit të tij institucional, të zbatojë një “terapi shoku” pozitive, paqëtuese dhe të ekuilibruar.
Pjesa e Dytë
Mesazh më 28 Nëntor — Një Zgjidhje Shumëdimensionale: Shtyllat e Paktit Kombëtar (2027–2030) dhe Vullneti i Përbashkët mbi Politikën e Ditës (Pjesa II)
Nga Inxh. Shkëlqim Skënderi
Për të mos mbetur në nivelin e eseistikës së bukur, më poshtë shtrohet për debat publik dhe institucional një arkitekturë konkrete zgjidhjeje, e konceptuar si një Pakt Kombëtar i Pajtimit, Bashkëqeverisjes dhe Përgatitjes Përfundimtare për Integrimin Evropian (2027–2030). Kjo nuk paraqitet si dogmë e mbyllur, por si një mekanizëm i balancuar dhe një ftesë e hapur për diskutim serioz, ku mund të shtohen instrumente edhe më të forta kontrolli, por pa e cenuar logjikën e tij tërësore:
- Armëpushimi Politik 4-Vjeçar (2027–2030), Bashkëqeverisja Profesionale dhe Ngrirja e Luftës Elektorale
Për të kryer reforma të rënda strukturore pa frikën e kostove elektorale dhe pa shpërqendrimin shkatërrues të fushatave, Shqipëria hyn në një mandat të vetëm emergjent 4-vjeçar bashkëqeverisjeje kombëtare (1 Janar 2027 – 31 Dhjetor 2030). Gjatë këtyre katër viteve pezullohet çdo luftë politike dhe çdo garë zgjedhore, si zgjedhjet e përgjithshme, ashtu edhe ato vendore, për t’u mbajtur në fund të vitit 2030, si zgjedhjet e para të një Shqipërie me themele evropiane.
Në të njëjtën frymë pragmatizmi, pezullohet zbatimi i ligjit të ri territorial për bashkitë: numri aktual i bashkive mbetet i pandryshuar dhe kryetarët aktualë të bashkive vijojnë detyrën deri më 31 Dhjetor 2030. Kjo shmang paralizën administrative të ndarjeve të reja territoriale dhe eliminon krejtësisht tundimin e luftës për vota, burimin kryesor që i shtyn politikanët të shpërndajnë leje ndërtimi dhe favorizime klienteliste në këmbim të mbështetjes elektorale. Me heqjen e lejeve të ndërtimit nën Moratoriumin Kombëtar dhe nën mbikëqyrjen e sektorëve teknikë qendrorë, bashkitë përqendrohen ekskluzivisht te shërbimet qytetare dhe ringritja e infrastrukturës.
Në nivel qendror, Kryeministri në detyrë ruan drejtimin ekzekutiv, Politikën e Jashtme, Mbrojtjen dhe Rendin, ndërsa vendimmarrja në sektorët jetikë ndahet me bashkëfirmosje përmes pesë Zëvendëskryeministrave:
▪ Një Zv/Kryeministër nga opozita historike, me përgjegjësi direkte mbi Drejtësinë, Arsimin dhe Shëndetësinë;
▪ Katër Zv/Kryeministra profesionistë të pavarur (jopartiakë, me përvojë të provuar, të moshës 65–75 vjeç), secili në krye të një shtylle zhvillimi: Financat dhe Ekonomia; Ndërtimi dhe Infrastruktura; Industria, Teknologjia dhe Minierat; si dhe Bujqësia. Në të njëjtën frymë meritokracie, kabineti ministror përbëhet nga profesionistë të pavarur (60–70 vjeç), të shkëputur nga pazaret partiake.

- Amnistia Kushtetuese, Drejtësia me 3 Firma dhe Juria e Ekspertëve me Short për Tenderat
Për të shuar përfundimisht hakmarrjen politike, shpallet një Amnisti Kushtetuese që mbyll procedimet ndaj figurave udhëheqëse të tranzicionit 1991–2026, familjarëve të tyre dhe punonjësve të administratës, me kushtin e panegociueshëm të tërheqjes përfundimtare të brezit të vjetër politik (duke lënë hapësirë të qartë vetëm për brezin e ri të verifikuar). Paralelisht, që drejtësia e re (SPAK, GJKKO dhe BKH) të çlirohet nga çdo dyshim për përdorim politik apo selektivitet, drejtimi i saj dhe çdo padi e re duhet të mbështeten në rregullin e tri firmave: një prokuror ose gjykatës shqiptar dhe dy kolegë të huazuar nga vende të ndryshme perëndimore (SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, dhe në çdo proces, nuk duhet të jenë kurrë dy nga i njëjti shtet).
Njëkohësisht, jepet zgjidhje rrënjësore për nyjën më të ndërlikuar të shtetit, prokurimet publike. Tenderat janë procese komplekse teknike e shumëfaktoriale që nuk mund të mbeten as peng i klientelizmit politik, as objekt paralize nga frika e hetimeve jokompetente. Pasi një tender përgatitet, analizohet dhe miratohet paraprakisht nga dikasteri përkatës, ai i nënshtrohet detyrimisht një shkalle përfundimtare dhe absolute miratimi: një Jurie Ekspertësh të Profilit, e përbërë nga 5 ose 11 anëtarë (në varësi të vlerës dhe kompleksitetit të projektit), të cilët përzgjidhen në çdo rast me short të verbër nga një regjistër i certifikuar specialistësh, sipas modelit të jurive gjyqësore në SHBA dhe Kanada. Pamundësia për të ditur paraprakisht se kush do të gjykojë dosjen eliminon në rrënjë korrupsionin. Si pasojë, SPAK-ut i hiqet nga objekti i punës shqyrtimi dhe gjykimi i meritës teknike, ekonomike dhe procedurale të tenderave, duke e lënë kompetencën e tij penale ekskluzivisht për rastet e provuara të korrupsionit aktiv, falsifikimit apo cenimit të vetë shortit.
- Banka Popullore e Investimeve dhe Fondi i Solidaritetit Kombëtar
Qytetari nuk e sheh më shtetin si armik atë ditë që bëhet aksioner i pasurisë së tij. Krijimi i Bankës Popullore të Investimeve (me kapital 20 miliardë euro dhe 1 milion aksione të patjetërsueshme me vlerë 20 mijë euro, nga një aksion për çdo familje shqiptare brenda dhe jashtë vendit, që trashëgohet por nuk shitet) siguron divident të përvitshëm nga projektet strategjike të vendit. Krahas saj, vendoset një kontribut i posaçëm vjetor (Fondi i Solidaritetit Kombëtar) mbi bizneset e mëdha dhe korporatat që kanë përfituar koncesione, miniera, plazhe dhe tendera publikë. Ky Fond duhet të dedikohet ekskluzivisht për katër plagë të harruara: spitalet e sëmundjeve mendore, azilet moderne për të moshuarit, rritjen reale të asistencës sociale dhe zgjidhjen njerëzore e përfundimtare të kafshëve të braktisura në mbarë territorin.
- Çlirimi i Tokës Bujqësore dhe Mbyllja e Plagës së Pronës
Bujqësia nuk ringjallet me subvencione simbolike kur toka e bukës mbetet e copëtuar dhe e zaptuar. Një zgjidhje kirurgjikale parashikon lirimin e tokave bujqësore të dhëna “në përdorim” nga ndërtimet e palegalizuara e të pahipotekuara për t’ia rikthyer prodhimit agrokulturor, ndërsa ish-pronarët e ligjshëm kompensohen përfundimisht me vlerë reale tregu, bazuar ekskluzivisht në tapitë dhe certifikatat e vitit 1946, përpara reformës agrare.
- Masterplani Urban dhe Infrastrukturor i Tiranës 2030: Uji 24/7, Pastrimi i Lanës, Moratoriumi dhe Tirana e Vjetër
Këtu interesi publik dhe standardi shkencor dhe profesional duhet të dalin përfundimisht mbi urbanistikën e lejeve. Nuk mund të ndërtohen kulla luksi në kryeqytet e bregdet për sa kohë pallatet përballë mbajnë pompa dhe depozita plastike uji nëpër tarraca, Lana mbetet kanal i hapur ujërash të zeza, kanalizimet bllokohen në shiun e parë dhe rrugët kolapsojnë nga mungesa e unazave e korsive të transportit publik.
▪ Moratoriumi: Pezullohen plotësisht lejet e reja për kulla dhe pallate në Tiranë e në bregdet derisa infrastruktura bazë të stabilizohet.
▪ Vepra Monumentale e Ujit 24/7 (“Kaskada Kodrinore”): Oligarkët dhe kompanitë e mëdha të ndërtimit riorientojnë kapitalin e tyre dhe makineritë e rënda drejt financimit dhe ndërtimit të sistemit të ri të ujësjellësit të Tiranës. Brenda gjashtëmujorit të parë 2027, Instituti i Projektimit të Ndërtimeve, pedagogët e studentët e Fakulteteve të Inxhinierisë të Universitetit të Tiranës dhe UKT-ja përditësojnë dokumentacionin e plotë të rrjetit ekzistues të ndarë në blloqe (sistemet e tubacioneve dhe diagramat e prurjeve respektive), duke kryer modelimin e plotë hidraulik (prurje dhe presion real në hyrje të çdo pallati e banese). Mbi bazën e këtij auditimi, brenda gjashtëmujorit të parë 2028 ndërtohen rezervuarët gjigantë balancues në kuotat e kodrave përreth Tiranës (si një mundësi, por të gjykohet më në detaje), një Kaskadë Kodrinore që injekton ujë 24 orë nga drejtime të shumëfishta me rënie të lirë dhe me rregullatorë presioni në çdo zonë e pallat, duke fshirë përgjithmonë pompat individuale dhe kazanet mbi tarracat e tyre.
▪ Shpëtimi përfundimtar i Lanës: Paralelisht me ujësjellësin, ndërmerret ndërhyrja rrënjësore për devijimin e të gjitha shkarkimeve të ujërave të zeza që derdhen sot në shtratin e Lanës. Të gjitha këto shkarkime kapen dhe devijohen plotësisht në kanale (kolektorë) nëntokësorë paralelë me rrjedhën e Lanës, deri në pikat e shkarkimit drejt hederave dhe kolektorëve kryesorë të qytetit. Kështu, Lana çlirohet njëherë e mirë nga ndotja dhe i rikthehet Tiranës si rrjedhë e pastër natyrore.
▪ Puna për ndërtuesit e vegjël dhe shpëtimi i Tiranës së Vjetër: Që sektori i ndërtimit të mos bjerë në recesion gjatë moratoriumit, firmat e vogla e të mesme angazhohen në dy fronte me vlerë të lartë urbane: heqjen e gardheve e mureve rrethuese që mbytin hapësirat publike të Tiranës dhe rikonstruksionin e plotë modern të shtëpive të vjetra e të braktisura tiranase, jo për t’i prishur e zëvendësuar me beton, apo pallate shumëkatëshe e kulla, por për t’i kthyer në banesa të dinjitetshme dhe në një perlë muzeale e turistike.
- Rregulli Politik, Siguria dhe Hapësira Mediatike
Në një periudhë delikate rithemelimi, shteti ka nevojë edhe për një debat të hapur, pa tabù, mbi tri burime të vazhdueshme kaosi: disiplinimin e fragmentimit ekstrem partiak drejt tri poleve të qarta kombëtare (E Majta, E Djathta dhe Qendra); nevojën për masa ndëshkuese ekstreme e shkurajuese ndaj krimit të organizuar e vrasjeve me porosi (ku duhet shtruar hapur edhe debati i vështirë mbi rivendosjen e përkohshme të dënimit kapital për porositësin dhe ekzekutorin, me pezullimin e përkohshëm të protokolleve përkatëse); si dhe vendosjen e standardeve të rrepta publike e kufizimin e licencave në hapësirën kombëtare televizive informative.
- Sovrani si Gjykatës i Fundit
Askush nuk ka iluzione se një paketë kaq e thellë reformash (edhe nëse ne, shqiptarët e sotëm, do të arrinim të biem dakord), sidomos në pikat e saj më të guximshme, mund të kalojë lehtësisht nëpër pazaret tradicionale të partive apo pa debate të forta me partnerët tanë ndërkombëtarë. Pikërisht për këtë arsye, një pakt i tillë nuk u takon tryezave të mbyllura, por Referendumit Kombëtar Mbarëpopullor. Vetëm vullneti i drejtpërdrejtë i Sovranit mund t’i japë një akti të tillë legjitimitet të pakundërshtueshëm përballë rezistencës së brendshme dhe respekt të merituar përballë aleatëve ndërkombëtarë.
Shqipëria nuk ka mungesë talentesh, mjekësh, inxhinierësh, ekonomistësh apo qytetarësh të ndershëm; ajo vuan nga mungesa e një mekanizmi që e vë arsyen mbi mllefin dhe vullnetin e përbashkët mbi retorikën. Qoftë për profilin e Kryebashkiakut të Tiranës 2030, qoftë për daljen nga kriza e sotme politike e sociale, pyetja e vetme që ka rëndësi është nëse do të vazhdojmë të flasim bukur për plagët tona, apo nëse do të kemi më në fund kurajën t’i bashkojmë mendjet për t’i shëruar ato.
Inxh. Shkëlqim Skënderi



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.