PD përsërit thirrjen për protestë. Duma: Qytetarët po vetëflijohen, e keqja duhet shkulur
Partia Demokratike ka bërë sërish thirrje sot për një protestë mbarëqytetare në kryeqytet ditën e enjte.
Deklarata e Partise Demokratike
“Brenda një jave, arroganca e qeverisë dhe e oligarkëve të saj lokalë, luajti me jetën e tre qytetarëve, dy prej të cilëve u vetëflijuan, ndërsa gruaja nga Novosela arriti të mbijetojë në spital. Albana Mataj u vetvra pasi u hoq nga puna pa motiv, mësuese prej shumë vitesh në Shkollën Tregtare në Vlorë. Gjovalin Lazri 53 vjeç, kryefamiljar nga Lezha, u vetra për shkak se nuk përballonte faturën abuzive të energjisë dhe errësirën ku e la qeveria.
Dhurata Miho, kryefamiljare nga Novosela, u vetflijua sepse komuna e kishte lënë jashtë skemës së përfitimit, edhe pse ajo vuajti pasoja të tmerrshme nga përmbytjet. Për fat të mirë, Dhurata mbijetoi, falë ndërhyrjes së shpejtë të djemve të saj dhe sot po mjekohet në spital.
Aktet e dëshpëruara të qytetarëve të braktisur nga qeveria, janë një akuzë e drejtpërdrejtë për Edi Ramën e Ilir Metës, të cilët janë përfshirë në luftën për pushtet, për influencë, për territore e para. Atyre nuk u intereson më jeta e vështirësitë që po hasin çdo ditë shqiptarët.
Dëshmitë e familjarëve, janë një akuzë e drejtpërdrejtë për Edi Ramën e oligarkinë e tij, për arrogancën e pandjeshmërinë e tyre. Edi Rama dhe Ilir Meta e bandat e tyre, po u thonë cdo ditë qytetarëve se ata janë aty për axhendën personale, për të ndarë tendera, për të ndarë tortën e pushtetit dhe nuk janë aty për të shërbyer.
Partia Demokratike, dhe qytetarët, do të jenë të enjten me 12 mars e çdo ditë, aty ku duhet, në këmbë, në ballë të protestës, për ta ndalur të keqen. Kjo e keqe duhet shkulur nga rrënjët, përpara se të marrë jetë të tjera njerëzish.