PD prezanton paketën: Ndërhyrje në Kushtetutë, të humbasë postin përjetë çdo i inkriminuar
Partia Demokratike prezantoi sot për publikun paketën për dekriminalizimin e Kuvendit, institucioneve të pavarura dhe administratës publike.
Përfaqësues i PD-së për çështjet ligjore, Oerd Bylykbashi foli për rregulla më të forta dhe të ashpra që shkojnë sa më thellë, për këtë problem kaq të rendë, siç tha ai, kriminalizimin në nivelet më të larta të institucioneve. Ai tha se PD kërkon të ndërhyet në Kushtetutë me qëllim që çdo person i inkriminuar të humbasë postin që gëzon sot.
“Ndërhyrja do të jetë imediate duke ndërhyrë drejtpërdrejt në Kushtetutë, për njerëzit me rekorde kriminale do përdoren rekordet kriminale jo vetëm për dënime në Shqipëri por dhe jashtë Shqipërisë, që në të ardhmen të mos kenë mundësi që këta persona të penetrojnë në administratë. Në platformën e PD do trajtohen rastet e krimit të organizuar, vepra që lidhen me krimin. Ne do kërkojmë masa të rrepta deri në përjashtimin përjetë për tu kandiduar apo përzgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë. Dikush i përfshirë në krim të organizuar nuk mund të pranohet nga qytetarët. Kjo histori të jetë e mbyllur njëherë e mirë”.
Ai shtoi më tej se, paketa me propozimet e plota do prezantohet ditën e mërkurë. “Do fusim instrumentat dhe procedurat efikase për identifikimin e rekordeve kriminale, këta persona do kenë detyrim të bëjnë deklarim për mospasjen e rekordeve kriminale. Do jetë një platformë e gjithanshme, do ndërhyhet në Kushtetutë me amendamente që do kenë vlerë të përhershme. vetëm fakti i dënimit do jetë kusht që këta persona të mos kandidojnë në të ardhmen”.