Politika

PD: Rama ka përgatitur “fshesën” në arsim

Partia Demokratike, përmes deputetit Luçiano Boçi ka akuzuar kryeministrin Rama se, politikat e vërteta të tij në arsim nuk janë ato që deklarohen me fjalë e propagandë.

Në një deklaratë për mediat, Boçi ka publikuar një email që u është dërguar 76 shkollave të kryeqytetit, që sipas tij tregon se si shefat e arsimit u kërkojnë drejtuesve të këtyre institucioneve të bëjnë raport të plotë për punonjësit e tyre dhe për bindjet e tyre politike.

“Më 27 korrrik ka mbërritur në shkollat e Tiranës një porosi urgjente, ku u kërkohet drejtorëve që deri të nesërmen në orën 11 të dërgojnë listën e stafit dhe përbri, thotë urdhëri, bindjen politike për secilin”, ka deklaruar Boçi, duke cituar email-in.

Ky skandal paralajmëron, sipas tij, fshesën e re që ka ndërmend të bëjë qeveria me mësuesit, përpara fillimit të vitit të ri arsimor.

“Edi Rama kërkon të kapë kështu çdo segment të arsimit në vend, për ta mbushur me militantë. Ai i sheh shkollat si organizata të partisë ku meritojnë të jenë në punë vetëm militantët e tij”, ka thënë Boçi.

Ai ka vlerësuar se, kjo është një goditje fatale që i jepet shkollave dhe mësimdhënies në vend, duke larguar mësuesit me përvojë dhe duke i zëvendësuar ata me vëzhgues, komisionerë e numërues të Partisë Socialiste.

“Edi Rama dhe mercenarët e tij në arsim do të mbajnë përgjegjësi për këtë dëm që po i sjellin shkollës dhe edukimit të fëmijëve tanë”, ka shtuar Boçi në deklaratën e tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button