‘Pema 8 metra bllokonte kolektorin e ujërave të zeza në Kashar’, Rama publikon pamjet e ndërhyrjes
Një pemë rreth 8 metra e gjatë është gjetur e bllokuar brenda kolektorit kryesor të ujërave të zeza në Bulevardin e Kasharit, duke shkaktuar probleme të përsëritura në kanalizimet e zonës.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga ndërhyrja, ku tregohet momenti i zbulimit të trungut brenda tubacionit përmes kamerave nëntokësore.
Sipas Ramës, problematika me daljen e ujërave të zeza në bulevard dhe në zonat përreth ishte shfaqur prej më shumë se një dekade, veçanërisht pas reshjeve.
Pas identifikimit të bllokimit, pema është nxjerrë nga kolektori dhe tubacioni është pastruar. Ndërhyrja synon të shmangë përsëritjen e përmbytjeve nga ujërat e zeza në zonën e Kasharit gjatë reshjeve.
Postimi i plote
Për më shumë se një dekadë, sa herë binte një shi sado i shkurtër, ujërat e zeza merrnin mbarë bulevardin e Kasharit dhe shpërthenin nëpër lagje. Preventiva, ndërhyrje, rindërhyrje të pasuksesshme derisa dje u zbulua shkaku i vërtetë dhe i pabesueshëm i bereqetit të zi që sillte shiu sa herë binte mbi Kashar, ku përpara Reformës së Parë Territoriale, Komuna e Kasharit, një bastion krenar i demokratëve, ndërtoi kolektorin kryesor të ujërave të zeza në Bulevardin e Kasharit.Kamerat speciale nëntokësore hynë brenda në kolektor dhe gjetën aty atë që zor se mund ta kapte edhe fantazia më e shfrenuar: Një trung peme 8 metrosh i shtrirë brenda tubit kryesor të ujërave të zeza.Pra gjatë punimeve, një çinar i madh, 8 metra i gjatë që gjendej atypari, u pre dhe, në vend që të largohej nga kantieri, u “varros” brenda kolektorit!Se çfare u tha mendja atyre që e urdhëruan dhe e zbatuan këtë veprim kriminal vetëm Zoti e di, por kjo është edhe një kujtesë shumë konkrete për të gjithë ata që kanë harruar pse Shqipërisë i duhej Reforma Territoriale.Sot pema është nxjerrë. Kolektori është çliruar. Dhe banorët e Kasharit nuk do ta kenë më taksiratin e faturës së një poshtërsie kriminale si ajo që i torturoi për më shumë se dhjetë vjet.Shqipëria e re nuk është vetëm Europa e Ballkanit që po ndërtojmë, po edhe ajo që zbulon, pastron dhe korrigjon deformimet e mbetura ende në rrugën tonë nga Gropa e Zezë e Ballkanit që ky vend ishte kur ne morëm detyrën.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.