Rajoni

Për inat të Europës shkon Greqia me Rusinë?

Gati gazsjellësi: Ishte një takim i frytshëm ai mes presidentit rus Putin e kryeministrit grek, Tsipras në Shën Peterburg. Rusia e Greqia planifikojnë thellimin e bashkëpunimit ekonomik, në qendër Turkish Stream.

Deri në nëntor, Rusia dhe Greqia do të përpunojnë një plan veprimi për gjetjen e mundësive të thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Këtë e vendosën presidenti rus, Vladimir Putin dhe kryeministri grek, Aleksis Tsipras pas takimit të tyre të premten (19.06) në Shën Peterburg, theksojnë mediat. Presidenti rus, Vladimir Putin e vlerësoi bashkëpunimin ekonomik me Greqinë, i cili ka ardhur “si iniciativë e Greqisë”, ka thënë Putin.

Ujdia e dy vendeve për zgjatjen me punime të përbashkëta të gazsjellësit në Detin e Zi, Turkish Stream është një parakusht i mirë, i tha Tsipras agjencisë Interfax. Në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në ish-metropolin e carëve, një instancë mjaft e rëndësishme për Putinin, si Rusia edhe Greqia i dhanë shtysë përpara marrëveshjes për gazsjellësin. Projekti gjigand do të mbushë buxhetin grek me tarifat e tranzitit, ndërsa Rusisë do t’i hapë rrugë të reja për sjelljen e gazit në Europën Juglindore. Sipas ministrit rus të Energjisw Alexander Nowak, gazsjellësi do të financohet me fonde ruse. Nga ana tjetër planifikohet edhe krijimi i një Joint-Ventures ruso-grek, i cili do të ndërtojë gazsjellësin nga viti 2016- 2019.

Si shpërblim për pjesëmarrjen e grekëve në gazsjellësin Turkish Stream së shpejti rusët mund të lirojnë embargon e ngritur ndaj artikujve ushqimorë që hyjnë nga vendet e Bashkimit Europian. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov u shpreh se së shpejti me këtë do të merren ekspertët. Por në tërësi edhe Rusia do të zgjasë embargon e mallrave ushqimorë nga BE, si reagim ndaj zgjatjes së sanksioneve të BE-së. Por Putini dhe Tsipras nuk biseduan për ndihma të mundshme financiare për Greqinë e kërcënuar nga falimentimi, tha Peskov.

St. Petersburg SPIEF 2015 Tsipras Putin
Tsipras: Europa të vendosë solidaritet apo kursime

Takimi i presidentit Putin me kryeministrin grek, Tsipras ka gjetur jehonë në media. Kështu gazeta gjermane “Neue Osnabrücker Zeitung” vëren se Tsipras në vend që të prezantojë një listë me propozime të qëndrueshme për reforma, fluturon në Moskë për t’iu kushtuar partnerëve. “Që Tsipras kërkon burime të reja financiare kjo është e lëvdueshme. Edhe ujdinë me Rusinë për gazsjellësin mund ta përshëndesësh. Por në të njëjtën kohë kjo vizitë pak para samitit vendimtar në Bruksel është një sinjal i qartë që Greqia mund të kthejë sytë më fort nga partnerë të tjerë. Kjo nuk parathotë asgjë të mirë për ecurinë e mëtejshme të negociatave. Nuk mund ta përfytyrosh si mund të gjendet zgjidhja në një situatë të tillë.”

Megjithatë Tsipras megjithëse mbetet optimist se do të gjendet një zgjidhje për krizën e borxheve. Kështu u shpreh në Shën Peterburg kryeministri grek, por bëri thirrje se Europa duhet të zgjedhë mes solidaritetit dhe kursimit që të fut në një qorrsokak. Problemi i Greqisë është një problem europian, tha Tsipras në Forumin Ekonomik të Shën Peterburgut.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button