Përbindëshi u vetëgllabërua
Nga Carlo Bollino
Rituali përsëritet, i pandryshueshëm në kohë, njësoj si arroganca dhe etja për pushtet që ka Sali Berisha. Pas çdo zgjedhje të humbur, Berisha denoncon manipulime, sepse të vetmet zgjedhje që i konsideron të lira dhe të ndershme janë ato që fiton. Dje, kur sapo dolën rezultatet e votimit elektronik që dekretuan fitoren e dukshme në Kamëz, Sali Berisha e cilësoi atë fitore si ”provë” që procesi ishte manipuluar në mënyrë digjitale. “Dhe ky është fakt”, theksoi disa herë, duke ngatërruar bindjen e tij personale me të vërtetën. Sipas Berishës provë e manipulimit është thjeshtë fakti se ai nuk fitoi. E gjitha këtu. Delirit të tij iu shtua kori i analistëve të tij që nga studiot e televizionit të pavarur të të birit, i konsideronin ato 6000 vota diferencë të marra nga Partia Socialiste në Kamzë si një provë më shumë të manipulimit. “Si ka mundësi që në Kamzë Berisha merr 6000 vota më pak se socialistët, normale që kanë manipuluar”. Logjik! Për të çertifikuar konkluzionet e tyre përdorën si dëshmi një teknik të faqeve ueb që prej disa muajsh është vetëshpallur si ekspert i sigurisë informatike, duke arritur të emërohet si konsulent i Belind Këlliçit në fushatën e tij elektorale triumfuese, duke u bërë kështu veçse ekspert, edhe i pavarur. Tamam siç i pëlqejnë Berishës. “Eksperti digjital”, pa asnjë fakt dhe pa asnjë kompetencë, premtoi një denoncim në SPAK kundër KQZ-së se sipas ai ka manipuluar sistemin e votës elektronike “duke përdorur një çelës usb”. Cirku mediatik me Sali Berishën në qendër vazhdoi për orë të tëra pretencën e mërzitshme kundër manipulimit të votës elektronike që veç Kamzës dekretoi fitues PS-në edhe në Elbasan dhe në Vorë.
Pastaj Tirana. Sondazhet që Berisha i konsideronte të blera “për 1 milion euro” që prej javësh e jepnin Erjon Veliajn në avantazh të fortë, u konfirmuan. I vogli Belind Këlliçi me diplomën e tij amerikane me 10 me yje, por pa dëftesë pjekurie, humbi më keq sa nuk mendohej. Ndërsa mbeten vetëm 1 të 5 e qëndrave të votimit për t’u numëruar, Veliaj ka mbledhur një avantazh prej 43000 votash. Këlliçi ëndërronte të bëhej lideri i ri i Partisë Demokratike dhe për këtë arsye u kandidua, por nga ai do të kujtohet vetëm gishti i mesit drejtuar qytetarëve dhe gënjeshtra se mund t’iu ofronte autobusë gratis të gjithëve. Si Berisha dhe Meta, edhe atë, as në lagjen e vet në Tiranë nuk e votuan. Që sot Belo duket i humbur në mes të grumbullit të klonëve të tjerë që Berisha ka prodhuar rreth vetes për t’i braktisur më pas në fatin e tyre.
Por e vërteta është shumë më e thjeshtë. Sali Berisha, që tashmë nuk është më simbol i asgjëje veçse i historisë së tij të errët personale, u shpartallua nga zgjedhësit e vet. U shpartallua nga shpifjet e zbuluara me mijëra herë e që njerëzit e tij nuk i durojnë më, përfshi dhe gafën e fundit me këngëtarin amerikan duke u betuar para gjithë Shqipërisë se ai ishte Erjon Velija i maskuar si spiun në Iran. U shpartallua nga arroganca e tij, nga kërcënimet e tij, nga era e vdekjes që e përhap kudo shkon, nga korrupsioni me të cilin ka pasuruar familjen duke shpetuar gjithmonë nga Drejtësia, nga akuzat pa prova të bëra për këdo, të gjitha gjëra që shqiptarët nuk i durojnë dot më. Sali Berisha u braktis nga njerëzit e tij, të lodhur nga ai, jo vetëm nga elektorati i moderuar që nuk ia dëgjon dot as emrin.
Janë demokratët që nuk donin ta votonin që dezertuan qëndrat e votimit, duke e çuar pjesemarrjen në pikën më të ulët të historisë së demokracisë, jo armiqtë e tij. Socialistët votuan si përherë, janë demokratët që nuk votuan. Dhe fakte të vërteta janë shifrat që po ju tregoj: sipas qendrave të votimit të numëruara deri tani, Berisha bashkë me Metën dje kanë marrë 283.292 vota më pak në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021. Partia Socialiste ka marrë 13.591 vota më shumë. Po, dje ka pasur bojkot të zgjedhjeve, por ishte vetëm kundër atyre të dyve, jo kundër Edi Ramës. Sali Berisha më në fund u shpartallua nga Sali Berisha, pa asnjë ekuivok dhe pa asnjë alibi. Bashkëpunëtori i vetëm në këtë shpartallim quhet Ilir Meta, edhe ai i transformuar në një klon që për të imituar doktorin humbi atë qetësi dhe dashuri, që jo për gjë tjetër, por e bënin më njerëzor. Asgjësimi i tyre pa kthim nuk fsheh asnjë mister, është vetëm fati i një përbindëshi të mbaruar që pa patur më fuqinë të kapë asnjë viktimë, në fund, ha veten.