Përdorimi i telefonave inteligjentë para moshës 13 vjeç lidhet me probleme të shëndetit mendor
– Përdorimi i telefonave inteligjentë përpara moshës 13 vjeç, mund të lidhet me probleme më të mëdha të shëndetit mendor në moshën e rritur.
Ky është përfundimi i një studimi ndërkombëtar, i cili përfshiu të dhëna nga më shumë se 100 mijë të rinj të moshës 18–24 vjeç, nga vende të ndryshme të botës.
Studimi, i titulluar “Mbrojtja e mendjes në zhvillim në epokën digjitale: Një domosdoshmëri globale për politikat publike”, u publikua në revistën shkencore “Journal of Human Development and Capabilities”.
Ai u realizua nga studiues të organizatës kërkimore “Sapien Labs”, në Virxhinia, SHBA, e cila mbledh dhe analizon të dhëna për shëndetin mendor dhe mirëqenien në nivel global.
Përmes këtij hulumtimi, studiuesit shqyrtuan lidhjen mes moshës kur pjesëmarrësit kishin filluar të përdornin telefonat inteligjentë dhe gjendjes së tyre aktuale emocionale, psikologjike, shoqërore dhe njohëse.
Të rinjtë plotësuan një pyetësor online, të quajtur “Koeficienti i Shëndetit Mendor” (MHQ), i cili vlerëson 47 aspekte të funksionimit emocional, shoqëror, njohës dhe fizik.
Problemet e raportuara dhe dallimet mes vajzave dhe djemve
Rezultatet treguan se personat që kishin filluar të përdornin telefona inteligjentë në moshën 12 vjeç ose më herët, kishin më shumë gjasa të raportonin mendime vetëvrasëse, agresivitet ndaj të tjerëve, ndjesinë e shkëputjes nga realiteti dhe vështirësi në kontrollin e emocioneve.
Gjithashtu, tek këta persona u evidentuan nivele më të ulëta të vetëvlerësimit, besimit në vetvete dhe qëndrueshmërisë emocionale.
Lidhja rezultoi më e theksuar te vajzat dhe gratë e reja.
Sipas studimit, 48% e vajzave të moshës 18–24 vjeç, të cilat kishin filluar të përdornin telefonin inteligjent në moshën 5 ose 6 vjeç, raportuan mendime vetëvrasëse, krahasuar me 28% të atyre që kishin filluar ta përdornin në moshën 13 vjeç.
Te meshkujt, përqindjet përkatëse ishin 31% dhe 20%.
Studiuesit vunë re gjithashtu se treguesit e përgjithshëm të mirëqenies mendore, përkeqësoheshin sa më e vogël të ishte mosha kur fëmijët kishin filluar të përdornin telefonat inteligjentë.
Sipas vlerësimit të tyre, rezultati mesatar i treguesit MHQ ishte 30 pikë për personat që kishin filluar përdorimin në moshën 13 vjeç, ndërsa zbriste në vetëm një pikë për ata që kishin filluar në moshën pesëvjeçare.
Ndërkohë, përqindja e të rinjve që raportonin shqetësime të rënda ose vështirësi të konsiderueshme në funksionimin e përditshëm, ishte 9,5 pikë përqindjeje më e lartë te vajzat dhe 7 pikë përqindjeje më e lartë te djemtë, në grupet që kishin filluar përdorimin në moshë më të hershme.
Rrjetet sociale, gjumi dhe bullizmi kibernetik
Studiuesit analizuan edhe faktorët që mund të shpjegojnë lidhjen mes përdorimit të hershëm të telefonave inteligjentë dhe problemeve të mëvonshme të shëndetit mendor.
Sipas analizës, hyrja në rrjetet sociale në moshë të hershme shpjegonte rreth 40% të lidhjes së evidentuar mes përdorimit të telefonit dhe mirëqenies mendore në moshën e rritur.
Faktorë të tjerë të rëndësishëm ishin marrëdhëniet e dobëta familjare, të cilat shpjegonin rreth 13% të lidhjes së analizuar, çrregullimet e gjumit me 12% dhe përvojat e bullizmit kibernetik me 10%.
Sipas studiuesve, përdorimi i hershëm i rrjeteve sociale, mund t’i ekspozojë fëmijët ndaj krahasimeve të vazhdueshme me të tjerët, përmbajtjeve të papërshtatshme, presionit shoqëror dhe ngacmimeve në internet.
Ndërkohë, përdorimi i telefonave gjatë natës, mund të ndërhyjë në orarin dhe cilësinë e gjumit, ndërsa koha e kaluar në pajisjet elektronike, mund të kufizojë ndërveprimin e drejtpërdrejtë me familjen dhe bashkëmoshatarët.
Studiuesit kërkojnë kufizime për fëmijët nën 13 vjeç
Duke u mbështetur në rezultatet e studimit, autorët propozojnë masa më të forta për mbrojtjen e fëmijëve nga ekspozimi i hershëm ndaj teknologjisë dhe platformave digjitale.
Ndër rekomandimet kryesore janë kufizimi i përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 13 vjeç, kontrolle më të forta për verifikimin e moshës së përdoruesve dhe përgjegjësi më e madhe e kompanive teknologjike për mbrojtjen e të miturve.
Ata propozojnë gjithashtu edukimin për përdorimin e sigurt të teknologjisë, ndërgjegjësimin për shëndetin mendor dhe kufizime graduale për pajisjet inteligjente, duke ofruar si alternativë telefona bazë që mundësojnë telefonata dhe mesazhe, pa qasje në rrjetet sociale dhe aplikacionet e internetit.
Drejtuesja e studimit, Tara Thiagarajan, themeluese dhe shkencëtare kryesore e “Sapien Labs”, tha se fillimisht ishte befasuar nga fuqia e lidhjes së evidentuar në rezultate.
Ajo argumentoi se ekspozimi ndaj mjedisit digjital, në një moshë kur truri dhe aftësitë emocionale janë ende në zhvillim, mund të ketë pasoja të rëndësishme për mirëqenien e mëvonshme. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.