Vitamina D3 mund të ngadalësojë procesin e plakjes
– Përdorimi i rregullt i vitaminës D3 në doza ditore, mund të ndihmojë në ngadalësimin e një prej proceseve biologjike të plakjes, duke ruajtur më gjatë gjatësinë e telomereve, strukturave mbrojtëse në skajet e kromozomeve.
Ky është përfundimi i një studimi klinik të lidhur me Universitetin e Harvardit, i cili sugjeron se suplementimi me vitaminë D, mund të kontribuojë në një plakje më të shëndetshme.
Studimi u publikua në revistën shkencore “The American Journal of Clinical Nutrition” dhe është pjesë e kërkimit VITAL, një prej studimeve të mëdha klinike mbi efektet e vitaminës D dhe acideve yndyrore omega-3 në shëndetin e njeriut.
Në analizën specifike për telomeret, u përfshinë 1 031 persona, pjesëmarrës në studimin VITAL, të cilët ishin të moshës 50 vjeç e lart.
Mosha mesatare e tyre ishte rreth 65 vjeç.
Për katër vjet, studiuesit analizuan efektet e marrjes së përditshme të 2 000 njësive ndërkombëtare (IU) vitaminë D3 dhe një gram omega-3 me origjinë detare.
Pjesëmarrësit u ndanë në grupe të ndryshme, të cilat morën vitaminë D3, omega-3, të dy suplementet ose placebo, një preparat pa përbërësin aktiv.
As pjesëmarrësit dhe as studiuesit nuk e dinin se kush po merrte suplementet dhe kush placebo-n.
Qëllimi ishte të vlerësohej nëse këto suplemente mund të ndikonin në gjatësinë e telomereve, të konsideruara një nga treguesit biologjikë të plakjes së qelizave.
Çfarë janë telomeret dhe si lidhen me plakjen?
Telomeret janë struktura mbrojtëse të vendosura në skajet e kromozomeve, të cilat përmbajnë materialin tonë gjenetik, ADN-në. Ato veprojnë si mbrojtëse të informacionit gjenetik gjatë ndarjes së qelizave.
Sa herë që një qelizë ndahet, telomeret priren të shkurtohen.
Ky është një proces natyror i plakjes biologjike. Kur ato bëhen shumë të shkurtra, qelizat mund të humbasin aftësinë për t’u ndarë dhe për të funksionuar normalisht, duke hyrë në një gjendje të njohur si plakje qelizore.
Shkurtimi i telomereve lidhet me proceset e plakjes dhe me zhvillimin e disa sëmundjeve, që shfaqen më shpesh me kalimin e moshës.
Për këtë arsye, studiuesit po shqyrtojnë nëse ndërhyrje të caktuara ushqimore dhe mjekësore, mund të ndihmojnë në ruajtjen e tyre.
Vitamina D ngadalësoi shkurtimin e telomereve me 140 çifte bazash
Për të vlerësuar efektet e suplementeve, studiuesit matën gjatësinë e telomereve, në qelizat e bardha të gjakut të pjesëmarrësve në fillim të studimit, pas dy vjetësh dhe pas katër vjetësh.
Rezultatet treguan se personat që morën 2 000 IU vitaminë D3 në ditë, përjetuan një shkurtim dukshëm më të vogël të telomereve, krahasuar me ata që morën placebo.
Konkretisht, pas katër vjetësh, grupi që mori vitaminë D3, kishte ruajtur mesatarisht 140 çifte bazash më shumë në gjatësinë e telomereve, krahasuar me grupin e placebos.
Sipas studiuesve, kjo diferencë sugjeron se vitamina D3 mund të ndihmojë në ngadalësimin e një procesi të plakjes biologjike në nivel qelizor.
Megjithatë, efekti nuk u konstatua për suplementimin me omega-3. Ky suplement nuk tregoi ndikim statistikisht të rëndësishëm, në ruajtjen e gjatësisë së telomereve gjatë periudhës së analizuar.
A mund të konsiderohet vitamina D një mënyrë për të ngadalësuar plakjen?
Studiuesit vlerësojnë se rezultatet janë premtuese, pasi tregojnë një efekt të mundshëm të vitaminës D në ruajtjen e telomereve dhe ngadalësimin e plakjes qelizore.
Sipas analizës së tyre, ndryshimi i vërejtur në gjatësinë e telomereve, mund të jetë i barasvlershëm me afro tre vjet më pak plakje biologjike, bazuar në krahasimet me shkurtimin e telomereve, që ndodh normalisht me kalimin e moshës.
Megjithëse studimi përdori një dozë prej 2 000 IU vitaminë D3 në ditë, kjo nuk do të thotë se e njëjta dozë është e nevojshme për çdo person.
Nevoja për vitaminë D ndryshon në varësi të moshës, gjendjes shëndetësore, nivelit të saj në gjak dhe faktorëve të tjerë individualë.
Marrja e dozave të larta pa mbikëqyrje mjekësore, mund të shkaktojë rritje të kalciumit në gjak dhe probleme me veshkat.
Prandaj, suplementimi duhet të përcaktohet në bazë të nevojave individuale dhe këshillës së mjekut. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.