Ekonomia

Operacioni kundër informalitetit, Rama në Lezhë, inspektim në disa njësi tregtare

Një nga rrugët tregtare kryesore të Lezhës ishte ndalesa e kryeministrit Edi Rama në javën e dytë të operacionit kundër informalitetit, për të parë ecurinë e operacionit në terren.

Njësi shitjeje për veshje, një pikë tregtimi e artikujve të ndryshëm, bar-kafe, farmaci veterinare etj, ishin disa nga njësitë tregtare ku u ndal kryeministri, teksa në to, grupet e punës po kryenin veprimet e verifikimit të ligjshmërisë së aktivitetit tregtar, pajisjes me kasë fiskale dhe përdorimit të saj.

Kryeministri u takua me pronarët e këtyre bizneseve dhe grupet e verifikimit. Biznesmenët e vegjël të Lezhës shprehën mbështetjen për këtë operacion, duke e cilësuar si të drejtë, që duhej bërë kohë më parë, por mbi të gjitha do të nxisë konkurrencën e ndershme mes tyre.

“Duhet të jemi të gjithë njëlloj dhe jo ne të paguajmë dhe të tjerët jo. Jam shumë e kënaqur që po arrin edhe Shqipëria si vendet e tjera”,  tha pronarja e një dyqani veshjesh.

Ndërsa një tjetër biznesmen i vogël, me krenari i thotë kryeministrit se është i pari në Lezhë që ka vendosur kasën fiskale. “I paguaj të gjitha taksat shtetit dhe kjo është shumë e mirë, që të jemi të gjithë të barabartë. Është iniciativa më e mirë dhe të përgëzoj”, u shpreh ai.

Prerja e kuponit tatimor për kryeministrin, është edhe vendosje e barazisë në ushtrimin e aktivitetit tregtar. “Më mirë të gjithë të barabartë, sesa disa me kuponë dhe disa me dorën në xhepin e tjetrit,” u shpreh kryeministri Rama.

Pronari i një bar-kafeje ngriti shqetësimin e çmimit të lartë të kasave fiskale, për të cilën mori nga kryeministri sigurinë se nga sot, çmimi i kasave fiskale ulet, sikundër edhe ai për mirëmbajtjen e tyre.

“Ne kemi bërë një ndërhyrje dhe çmimi i kasave do të bjerë nga 330 në 279 euro dhe pjesa tjetër, ajo e mirëmbajtjes, do të jetë një shkurtim drastik. Praktikisht, vijmë në çmimet që janë më të ulëtat që ka edhe në rajon,” nënvizoi kryeministri.

Gjatë bisedave me ta, ai i ftoi që në rast se sjellja grupeve të verifikimit nuk është korrekte, t’i denoncojnë.

Nga data 1 deri më 6 shtator të 2015, krahasuar me 1 deri 6 shtator të 2014, kuponat kanë shkuar nga 3.9 milionë, në 6.2 milionë dhe vlera e tatueshme ka shkuar nga 68 milionë dollarë, në 82 milionë dollarë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button