Përfundon restaurimi i Muzeut Arkeologjik të Korçës, nis faza e muzealizimit dhe rijetëzimit
Godina e Muzeut Arkeologjik të Korçës pas përfundimit të restaurimit do të vijojë me muzeualzimin. Muzeu Arkeologjik i Korçës u krijua në vitin 1985, ku rikonstruksioni nisi pas një projekti, që u miratua më parë në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale. Blendi Gonxhja ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit nënvizon bashkëpunimin me institucionet e trashëgimisë kulturore dhe Bashkinë Korçë për të rijetëzuar këtë hapësirë. Ministri Gonxhja thekson se ky projekt, është pjesë e një vizioni më të gjerë për krijimin e një rrjeti të integruar kulturor dhe muzeor, që promovon historinë, identitetin lokal dhe eksperiencat autentike të qytetit. “Kanë përfunduar punimet restauruese në godinën e Muzeut Arkeologjik të Korçës, ish-banesa historike e Fani Pjastos, një nga objektet me vlera të veçanta të trashëgimisë kulturore të qytetit.
Në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë dhe Bashkinë Korçë, po punojmë për hapat e mëtejshëm drejt muzealizimit dhe rijetëzimit të kësaj hapësire, si pjesë e një vizioni më të gjerë për krijimin e një rrjeti të integruar kulturor e muzeor që promovon historinë, identitetin lokal dhe eksperiencat autentike të zonës”, shprehet ministri Blendi Gonxhja në një reagim të tij. Godina e muzeut në Korçë është një objekt me vlera të veçanta të trashëgimisë kulturore të qytetit, ndërsa projekti i restaurimit është miratuar në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM) me vendim nr. 271, datë 26.7. 2024.
Punimet në muze
Punimet për rikonstruksionin e Muzeut Arkeologjik në Korçë nisën në vjeshtën e vitit 2024, ku gjithashtu specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore zhvilluan një inspektim me fokus në monitorimin dhe mbikëqyrjen e punimeve, që po realizoheshin në kuadër të projektit të restaurimit. Siç është bërë me dije më parë, ndërhyrjet restauruese në këtë muze arkeologjik, godina e të cilit është monument kulture kategori e parë konsistonin në ndërhyrjet përforcuese në themelet e ndërtesës dhe në muraturë; restaurim i çatisë në tërësinë e elementëve të saj konstruktivë; restaurim i muraturës prej guri; restaurim i ndërkateve; restaurim i elementëve drusorë në interier. Ky muze u krijua në vitin 1985 dhe mori formë më të gjerë e më të plotë pas organizimit të vitit 1990. Muzeu Arkeologjik në Korë fokusohet në prehistorinë e zonës juglindore, e fillon nga periudha neolitike dhe deri në fazën e zhvilluar të epokës së hekurit. Muzeu në Korçë gjithashtu është një tjetër institucion me rëndësi në fushën e trashëgimisë kulturore në vendin tonë.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.