Përgjime brenda Ministrisë së Brendshme. Zyrtari regjistroi mbledhje
Hije përgjimesh edhe në Ministrinë e Brendshme. Një zyrtar i lartë është kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës pasi përgjonte mbledhjet që zhvilloheshin në këtë dikaster.
Rasti është mbajtur i izoluar për të mos u bërë publik, por burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se bëhet fjalë për drejtorin e komanduar të Emergjencave Civile, Xhuvanaq Gjylameti.
Ky i fundit gjatë një mbledhjeje në fillim të tetorit, ku të pranishëm kanë qenë edhe drejtorë të tjerë dhe sekretari i përgjithshëm i ministrisë, ka incizuar fshehurazi me aparatin e tij celular diskutimet në mbledhje.
Pasi është konstatuar ky veprim nga të pranishmit në sallë, është lajmëruar menjëherë policia e Tiranës dhe sektori për krimet kompjuterike, që në cilësinë e provës materiale ka bllokuar celularin dhe kompjuterin e tij të punës.
Sipas burimeve, dyshohet se Gjylameti ka incizuar edhe mbledhje të tjera, ndërsa në përfundim të veprimeve policia ka vendsour që ai të hetohet në gjendje të lirë.
Në prokurori janë dorëzuar materialet për veprën penale të zbulimit të akteve ose të të dhënave sekrete që parashikohet nga neni 295/a dhe dënohet nga gjobë deri në 3 vite burg. Po ashu, ndaj drejtorit të komanduar ka filluar procedimi disiplinor.