Pergjysemohet Gjykata e Larte e Shqiperise
Në Shqipëri aktiviteti i Gjykatës së Lartë rrezikon të vihet në vështirësi serioze pas largimit nga detyra të katër anëtarëve të saj. Në një njoftim të Gjykatës bëhet e ditur se 5 gjyqtarëve iu mbaroi mandati 9 vjeçar. Kushtetuta parashikon mundësinë e qëndrimit të tyre në detyrë deri në momentin e zëvendësimit, por katër anëtarë Guxim Zenelaj, Aleksandër Muskaj, Evelina Qirjako, dhe Arjana Fullani kanë vendosur që të dorëzojnë detyrën. Vetëm gjyqtari Andi Çeliku ka zgjedhur që të qëndrojë pavarësisht mbarimit të mandatit.
Gjykata e Lartë ka sipas ligjit 19 anëtarë. Aktualisht ajo funksionon me 14 gjyqtarë, ndër të cilët, anëtarja Majlinda Andrea është në procedura shkarkimi pas dënimit të saj për korrupsion. Dorëzimi i detyrës nga 4 anëtarët e tjerë e çon në 9 numrin e gjykatësve që ushtrojnë aktivitetin, pa llogaritur kryetarin Xhezair Zaganjori.
Praktikisht në muajt që vijnë Gjykata, e cila ka në shqyrtim afër 19 mijë dosje, do të funksionojnë vetëm me gjysmën e anëtarëve të saj, ndërkohë që plotësimi i vendeve vakante, është në varësi të ngritjes së institucioneve të reja të parashikuara nga Reforma në Drejtësi.